Islam Hoxha, refugjati nga Rahoveci që po shkëlqen si asistent në kolegjet amerikane

Për publikun sportdashës në Rahovec, Islam Hoxha është një emër i njohur.

Hoxha gjatë sezonit 2021-2022 ishte i angazhuar si asistent i trajnerit tek KB Rahoveci, dhe me punën e pasionin e tij, e bëri për vete një qytet të tërë.

Hoxha ishte pjesë e stafit teknik, që arriti play-offin me KB Rahovecin, por fatkeqësisht iu desh të largohej për SHBA (Grand Rapids, MICHIGAN), për shkak të angazhimeve familjare e profesionale.

Islam Hoxha jeton në Grand Rapids, MI bashkë me familjen, që nga viti 1999, ku u largua nga lufta si refugjat.

Në fillim të sezonit 2022-2023, Islam Hoxha angazhohet si asistent trajner në ekipin e basketbollit të Grand Rapids Community College(Kolegj Publik në Michigan), ku po korr suksese të mëdha.

Ekipi GRCC në fillim të këtij sezoni rregjistron 4 fitore dhe asnjë humbje, teksa puna e Islam Hoxhës po vlerësohet shumë nga të gjithë, e sidomos nga krye trajneri i GRCC Joe Fox.

Gjatë ditës së sotme, faqja zyrtare e Grand Rapids Community College, publikoi një intervistë me Islam Hoxhën, ku ky i fundit u pyet për historinë e tij, vuajtjet gjatë luftës në Kosovë, migrimin për në amerikë, punën si asistent tek KB Rahoveci etj.

Në vazhdim po i publikojmë disa nga frazat më interesante të intervistës:

Për luftën:

“Unë kam ende kujtime nga Kosova,” tha ai për vendin e tij të lindjes. “Më kujtohet se kam hipur mbi supet e babait tim ndërsa ai më mbante, ndërsa familja ime iku në male në kërkim të sigurisë, duke ikur nga njerëzit që donin të na vrisnin.”

Për largimin nga lufta dhe hyrjen në Amerikë si refugjat:

“Ne u mirëpritëm,” tha ai. “Ne kishim familje që na sponsorizuan dhe na ndihmuan. Në shkollë, na futën në një klasë me refugjatë të tjerë, që të mund të mësonim së bashku. Kishim në dispozicion shërbime në gjuhën angleze dhe kishim kaq shumë njerëz që na ndihmuan. Nuk mund t’i falënderoj sa duhet.”

Për punën si asistent tek KB Rahoveci:

“Kam takuar një vajzë gjatë pushimeve në Kosovë,” tha ai. “Ne ishim në lidhje dhe më pas ajo u bë e fejuara ime dhe tani ajo është gruaja ime. Por para se të ndodhte kjo, u ktheva për një vit për të qenë me të. Dhe një ditë, shkova për të parë stërvitjen e ekipit lokal të basketbollit(KB Rahoveci). Dhe pastaj shkova për të takuar drejtorin e tyre sportiv dhe i thashë: “Do të doja të bashkohesha me stafin tuaj si vullnetar.”

Për dashurinë për basketbollin:

“Unë e dua basketbollin sepse është një lojë e bukur”. “Por një arsye tjetër që e dua është sepse e di që po i ndihmoj të rinjtë të arrijnë disa synime që i kanë vënë vetes. Është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e jetës së tyre dhe të jesh gjithmonë pranë tyre kur kanë nevojë për këshilla, njohuri ose thjesht dikë për të folur.”

Intervistën e plotë të Islam Hoxhës për faqen zyrtare të Grand Rapids Community College e gjeni duke klikuar këtu. /RahoGazeta/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.