Idriz Vehapi mohoi kandidaturën, por në PDK janë të bindur se ai “do të zbutet” dhe do të garojë në zgjedhje

Ish-kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, me anë të një reagimi spektakolar mohoi raportimin e portalit tonë, Rahoveci24, se ai do të kandidojë për kryetar të Rahovecit. Raportimi ishte i bazuar në burime brenda lidershipit të PDK-së.

E, pavarësisht reagimit të tij “agresiv” ndaj portalit, janë vet njerëzit e tij nga elektorati që duan që ai të kandidojë. Madje, në PDK këtë e bëjnë fakt të kryer, duke thënë se me afrimin e zgjedhjeve, edhe Vehapi “do të zbutet” dhe do ta pranojë kandidaturën. Kjo është edhe dëshira e elektoratit më modest të PDK-së, elektoratit besnik nga vitet e para paslufte që kjo parti ka në Rahovec, e që pas largimit të Vehapit lundroi në parti tjera.

Ai quajti portalin spekulativ, duke nxjerrë mllefin e disa komentuesve në statusin e tij.

Në anën tjetër burime të tjera brenda PDK-së në qendër thonë se qëndrimi i Vehapit pritet të zbutet dhe vetëm duhet të rregullohen “ca punë të brendshme” të degës së PDK-së në Rahovec.

Sigurisht se kjo ka të bëjë me Edon Canën, i cili dihet se nuk ka raporte të mira me Idriz Vehapin, kur dihet se Cana për vite të tëra bëri ç’mos të marrë degën e PDK-së në Rahovec.

Vet antarë të kryesisë së PDK-së besojnë se një kandidim i Canës është i pamundur në këtë pikë, pasi dihet afërsia e tij me Ramush Haradinajn që nga koha kur ai ishte konsull në Strasburg (kujtojmë se Cana i qëndroi Haradinajt afër kur u arrestua).

Plus kësaj ndihma që dega e PDK-së në Rahovec i bëri AAK-së në balotazh ndaj VV-së me në krye Edon Canën ndikon shumë në besimin e lidershipit të partisë mbi atë nëse vërtet Cana mund të jetë një kandidat i duhur për të rivalizuar Smajl Latifin.

Andaj në PDK llogarisin që me një kandidaturë të Idriz Vehapit do të marrin edhe një komunë për të rritur kështu numrin e komunave të tyre, e për këtë do të tentojnë ta zbusin më tej qëndrimin e Idriz Vehapit i cili thotë se është “i përkushtuar në jetën akademike”.

Një gjë dihet, përkundër këtij reagimi spektakolar dhe mjaft agresiv ndaj portalit, nuk mund të mbyllet përfundimisht tema e kandidimit të Idriz Vehapit, pasi që e kaluara ka dëshmuar se kur është në pyetje PDK dhe lidershipi i partisë, Idriz Vehapi është mjaft bashkëpunues dhe lëshon pe, e sidomos kur është fjala për t’u përballur me Smajl Latifin, dëshirën e të cilit për ta mposhtur edhe një herë në jetë, nuk e ka mohuar asnjëherë Idriz Vehapi në biseda me miq e bashkpuntorë.

Dhe, sa do që Idriz Vehapi bën thirrje të mos lexohet portali, edhe ai e di se raportimet tona janë të bazuara mbi burime dhe me vërtetësi brenda tyre.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.