Smajl Latifi është duke vazhduar pa probleme “mbretërimin” e tij edhe në mandatin e tretë të tij si kryetar i komunës së Rahovecit – i cili do të duhej të ishte një “fer i vërtetë” nga opozita.
Por, po ndodh krejt e kundërta, njeriu që po konsiderohet si “baba i opozitës” ka më shumë se tre muaj që nuk ka bërë asnjë adresim të vetëm kritik. Po, bëhet fjalë për Burim Krasniqin, i cili kritikën e fundit ndaj qeverisjes Latifi e ka më 6 qershor.
Njeriu aktualisht i vetëm kredibil për opozit-bërje në Kuvendin Komunal, Burim Krasniqi, po tregohet mjaft pasiv duke e bërë mandatin e Smajl Latifit mjaft relaksues dhe duke hapur rrugën për një fitore pa balotazh në zgjedhjet e radhës.
Së fundmi raportuam edhe për liderët tjerë opozitarë që po merren me çështje nacionale, edhe pse kanë pafund afera e probleme para hundës së tyre në Rahovec.
AAK nuk e ka shumicën në Kuvend, por me heshtjen e partive si LDK dhe PDK, me mungesën e opozitës reale edhe nga lidershipi i VV-së, përçarjen e këtyre të fundit në disa raste, mund të thuhet se Latifi s’ka nevojë për koalicion pasi kontrollon fraksione në të gjitha partitë opozitare.
Qytetarët shpresojnë që fillimisht Burim Krasniqi, e më pas edhe të tjerë persona në opozitë do të zgjohen nga gjumi për të bërë opozitë më agresive, sepse kështu do të vihet në llogaridhënie Smajl Latifi në mandatin e tij të tretë.
Tek e fundit, nëse të lartpërmendurit duan ta konkurojnë Latifin, apo të kenë ndonjë gjasë, është tash koha për të bërë opozitën dhe jo 2 muaj para zgjedhjeve.
/Rahoveci24/