Hidhet poshtë kallëzimi penal për kërcënim, Latifi paralajmëron padi ndaj Gojanit për dëmtim të reputacionit

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se sot ka marrë njoftimin nga Prokuroria Themelore e Gjakovës spadia e ngritur ndaj tij nga kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani, është hedhur poshtë.

Gojani, e kishte akuzuar Latifi për kërcënim gjatë një bisede telefonike, mirëpo Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë një pretendim të tillë si të vërtetë. Latifi, ndërkaq, ka paralajmëruar një padi ndaj Gojanit për dëmtim të reputacionit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kur ai garonte për kryetar të Rahovecit.

Latifi, i ka quajtur sulme politike veprimet e Gojanit, i cili fillimisht përmes një vendimi që doli të ishte kundër-ligjor, kërkonte nga Latifi ta pushojë nga detyra njërin prej drejtorëve, e mëpastaj duke deklaruar në media dhe duke e akuzar Latifin për kërcënim.

Ky është njoftimi i plotë i Kryetarit Latifi:

Sot, mora njoftimin që Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të udhëheqësit të Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani, i cili gjatë fushatës zgjedhore të tetorit 2021, akuzoi rrejshëm se unë e kisha kërcënuar atë gjatë një bisede personale.

Tani, është shumë e qartë që kryeinspektori Gojani ishte i motivuar politikisht në këtë mësymje. Ai u përpoq që ta dëmtojë reputacionin tim gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve lokale, kur unë garoja për kryetar të Komunës së Rahovecit dhe bashkëpunëtorët e mi për Kuvendin Komunal.

Vendimin anti-ligjor, ku e urdhëronte Kryetarin e Komunës së Rahovecit që ta shkarkojë njërin prej drejtorëve, ai e kishte pasuar me pretendimin e rrejshëm se unë e kam kanosur atë gjatë një bisede telefonike, për çfarë Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk ka gjetur dëshmi dhe padinë e inspektorit e ka shpallur të pavlefshme.

Këtij konspiracioni politik të kryeinspektorit, unë do t’i përgjigjem me një padi civile për dëmtim të reputacionit gjatë fushatës zgjedhore, përmes vendimeve të kundërligjshme si dhe pretendimeve të rrejshme, të orkestruara si një sulm politik dhe arbitrar kundër meje dhe AAK-së në Rahovec. Për dëmin e shkaktuar, bashkë me avokatin tim, do të kërkojmë kompensim meritor.

Unë, do të vazhdoj të punoj drejtë dhe në shërbim të qytetarëve të Rahovecit, ndërkaq sulmeve politike, që janë në kundërshtim me ligjin dhe të pandershme njerëzisht, do t’u adresohem gjithmonë nëpërmjet rrugëve ligjore, me bindjen e thellë që drejtësia do të fitojë gjithmonë në fund.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.