HardhFesti me bileta, Top 5 arsyet pse kjo është gjë fantastike për Rahovecin

Hardhfesti do të shënojë 10 vjetorin nga ekzistimi nën brendin që të gjithë e dashurojmë dhe me të cilin identifikohet komuna e Rahovecit. Megjithatë, etapa 10 vjeçare do të shënojë fillimin e një epoke të re për HardhFest-in, festivalin që të gjithë e dashurojmë.

Shkruan: Arnolld Korenica

640x74

Tashmë HardhFest ka konfirmuar se edicioni i sivjetmë për herë të parë do të ketë bileta të cilat do të shiten fillimisht me çmim ekskluziv prej 10 eurosh në fazën EARLY BIRD. Për ata që duan eksperiencë më të mirë, biletat janë më shtrenjtë.

Por, janë hiç më pak se 5 aryse që i kam listuar, të cilat mendoj se janë pozitive për të ardhmen jo vetëm të HardhFest, por edhe të komunës së Rahovecit.

1.Kualiteti i Performancave
Me vite të tëra ka pasur kritika, apo ka qenë “sekret publik” kritika e publikut për performuesit në HardhFest. Nga Zhabat e deri te të tjerë performues kontrovers, publiku pati kritika të cilat edhe nëse nuk ishin publike, ishin prezente në tavolinat anë e mbanë qytetit.

Nëse jo diçka tjetër, sistemi i biletimit do të garantojë stabilitet më të madh financiar për festivalin dhe buxhet më të madh që do të ofrojë mundësi për të sjellë top yje të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Tashmë janë të konfirmuar për sivjet emra të njohur nga skena vendore si Dren Abazi e Shkumbin Ismaili dhe emra të njohur ndërkombëtar si kitaristi legjendar i Guns n’Roses, Bumblebee, ashtu sikurse Gipsy Kings – që tashmë kanë filluar të tërheqin vëmendjen e audiencës jashtë Kosovës. E sipas informatave, do të ketë edhe shumë e shumë emra të tjerë, andaj blerja e biletës së hershme prej 10 eurosh duhet të bëhet sa më shpejtë që të mos paguani më shtrenjtë më vonë – për atë që mbetet ndër festivalet e vetme LIVE në vend.

2.Zhvillimi turistik i Rahovecit (dhe Kosovës)
Mendoj se është arsyeja kryesore pse e konsideroj të vonshëm këtë vendim. Kualiteti i performancave do të ndikojë në nxitjen e vizitorëve nga anë e mbanë bota.

Mos të harrojmë se bota po vuan aktualisht për evente kualitative LIVE që ruajnë traditën, që ofrojnë kulturën e pastër autoktone të një vendi evorpian, bashkëdyzuar me performancë kualitative muzikore. Të gjitha këto për të cilat vuan audienca evropiane dhe botërore i sjell HardhFesti. Më lart përmenda vetëm disa nga performuesit pasi pritet të konfirmohen edhe emra tjerë. Kjo gjë garanton vizitorë nga anë e mbanë Evropa e bota. Fillimisht do të përfitojnë hotelet e Gjakovës e Prizrenit, sepse ne s’kemi mjaftueshëm të tilla, por do të rrisë vëmendjen e ndërmarrësve që të investojnë në hoteleri, në mikpritje turistike e gastronomi – shtylla të fuqishme të turizmit dhe agroturizmit. HardhFesti është flamurtar i të ardhmes së Rahovecit, e cila qëndron tek turizmi dhe agroturizmi, dy kartat e arta për ringjalljen e Rahovecit në një zonë atraktive ekonomike, turistike dhe agroturistike që mund të jetë synim i vizitës nga qytetarë të vendeve të ndryshme. Toskanën e kemi para hundës dhe është koha e fundit që ta jetësojmë Rahovecin si konkurrues të destinacioneve si Toskana – në një të ardhme, kuptohet.
Vizitorët turistik që do të vijnë për HardhFest do të njoftohen me potencialin e Rahovecit dhe gjithë Kosovës.

3. Kualiteti i audiencës
Pikërisht, ardhja e turistëve të huaj dhe vizitorëve në HardhFest është arsyeja pse u ribrendua.
Megjithatë, ishte koha e fundit që bordi i festivalit të ndërmarrë një hap që për mua është i vonuar, por që ka qenë i pashmangshëm – vendosjen e sistemit të biletimit.

HardhFesti rrezikoi të shndërrohej në një festival lokal, me një audiencë kryesisht lokale. Asgjë të keqe dhe s’kam asgjë kundër fëmijëve, e audiencës lokale – megjithatë HardhFesti ka ditur të tërheqë turistë nga vende prej mbarë botës dhe këtu është kuptuar potenciali që zotëron festivali. Një gjë është e sigurtë – audienca do të jetë më kualitative dhe do të ketë më shumë turistë nga vendet e jashtme. Kjo do të thotë më shumë të ardhura për festivalin, hotelet, restaurantet dhe bizneset vendase në përgjithësi. Mos të harrojmë se dhjetëra miliona euro i sjellë Sunny Hill Festival komunës së Prishtinës, aq sa komuna e Prishtinës identifikohet me festivalin. Ne e kemi festivalin tonë tash e 10 vjet me të cilin krenohemi dhe këtë krenari duhet ta tregojmë me vepra duke e ruajtur si vlerë dhe duke e blerë biletën prej 10 eurosh qysh tani – sepse 10 euro sot bëjnë 4 kafe me ujë në shishe në Rrugën B të Rahovecit.

4. Ndërkombëtarizimi dhe Rave-Travel (platforma online ku shiten biletat)
Më në fund ndodhi. Rave Travel është platforma më e fuqishme e biletimit për festivalet në Evropën Juglindore (Linku i biletave të HardhFest: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2702)

Promovimi nga Rave Travel do t’i ofrojë HardhFestit më shumë mundësi për të targetuar turistë të jashtëm, vizitorë nga vendet e Ballkanit, Evropës e më gjerë.

UNUM Festival, koncertet e Shkupit me emra botëror, eventet tjera të mëdha në vend e rajon, kalojnë kah Rave Travel që ka një eksperiencë masive në ofrimin e biletave për eventet e mëdha dhe promovimit të po këtyre eventeve – tashmë biletat e HardhFest blihen në Rave Travel, që shënon një dritare të re të promovimit dhe të mundësisë së zhvillimit për festivalin.

5. Çmimi solid dhe sërish, ndërkombëtarizimi
Kulturë, traditë, muzikë e njerëz mikpritës – të gjitha për një çmim 10 eurosh për biletat e hershme EARLY BIRD.

Faza e hershme e shitjes së biletave (EARLY BIRDBleni KËTU) ofron mundësi të madhe për të gjithë që qysh tash të keni biletën për HardhFest sepse emra tjerë të mëdhenj vendorë e ndërkombëtar pritet të konfirmohen për festivalin.
Është e natyrshme që më vonë të rritet ndjeshëm çmimi i biletave, por aktualisht çmimi është tejet simbolik – duke ditur se hyrjet nëpër diskoteka verës për 1 mbrëmje janë nga 20 deri 50 euro, kurse ju me 10 euro merrni biletën për tri ditë të festivalit që është vërtet fantastike. I bie diku 3 euro në ditë për HardhFest – për ata që ankohen, i propozoj të pinë nga vetëm 1 paqetë cigare në ditë, apo të pinë kafen pa lëng dhe të krijojnë buxhetin për të shijuar maksimalisht HardhFestin.

Ajo që mua më intrigon është mundësia për fanatikët e festivalit – pjesa më afër skenës apo FAN PIT kushton 15 euro në periudhën e tanishme të hershme EARLY BIRD, kurse VIP bileta 100 euro. Kush dëshiron maksimumin, paguan më shumë, dhe qejfi paguhet – kuptohet. E rëndësishme është që qasja multi-dimensionale i lë mundësinë audiencës të zgjedhë mënyrën si do të shijojë festivalin, gjë që i ka munguar deri tash HardhFestit, i cili ka bërë hapin më të madh drejt ndërkombëtarizimit të festivalit dhe Rahovecit, si vend must-visit në hartën turistike botërore.

(Autori është kryeredaktor i portalit Rahoveci24, ligjërues i Marketingut Digjital si dhe ndërmarrës lokal që njeh mirë rrethanat lokale).

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.