Hamid Mullabazi: Fitoren ja dedikojmë trajnerit dhe qytetarëve

Sulmuesi i KF Rahovecit, Hamid Mullabazi, nuk ka mundur të fshehë kënaqësinë pas fitores së parë të stinorit pranveror të arritur në stadiumin që mban emrin e babait të tij, heroit të kombit, Selajdin Mullabazi – Mici.

Mullabazi përkundër faktit se nuk gjeti rrjetën bëri një lojë shumë të mirë duke u treguar i rrezikshëm dhe duke i krijuar hapësira bashklojtarëve.

Mullabazi thotë se fitorja është shumë e rëndësishme dhe se atë ai ja dedikon trajnerit dhe qytetarëve që ishin prezent, teksa ftoi tifozët të jenë në numër sa më të madh në ndeshjet tjera pasi beson se ata janë arma më e fuqishme e tyre.

“Edhe pse nuk shënova me rëndësi është fitorja e ekipit. Natyrisht se do të nënshkruaja që të mos shënoj gol deri në fund të sezonit nëse do të më ofrohej mbijetesa e klubit. Ky është imperativi dhe synimi i secilit lojtar dhe njeri që frymon në Rahovec, andaj ne do të japim gjithçka që të sigurojmë mbijetesën”.

“Fitorja i dedikohet trajnerit i cili po bën punë të jashtëzakonshme me ekipin. Ai ka besim të madh në ekipin dhe ne kemi besim të madh tek ai, andaj nuk duam të zhgënjejmë as atë e as qytetarët, fitore që pa dyshim u dedikohet edhe atyre”.

“Tifozët i ftoj të jenë sa më shumë në numër në ndeshjet e ardhshme sepse ata janë arma jonë më e fuqishm në realizimin e synimit për mbetje në Ligën e Parë. Jam shumë i bindur se ne do ta arrijmë këtë”, deklaroi Hamidi për Rahoveci24.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.