Sulmuesi i KF Rahovecit, Hamid Mullabazi, ka bërë të ditur se ai do të japë atomin e tij të fundit për të nxjerrë rezultat pozitiv në udhëtim ndaj Kosovës së Prishtinës që shënon fillimin e stinorit pranveror në Ligën e Parë të futbollit.
Mullabazi pas ardhjes së përforcimeve nga vendet tjera, rrezikon të mos jetë startues në 11-shen e parë.
Por, i biri i heroit kombëtar, Selajdin Mullabazi – Mici, si gjithmonë mbetet modest dhe ia beson punën trajnerit, duke thënë se i respekton zgjedhjet e tij, por nëse do ta ketë rastin, do të japë atomin e fundit për të gëzuar tifozët dhe për të nisur mbarë rrugën drejt mbijetesës.
“Jemi përgatitur maksimalisht për filimin e stinorit pranveror dhe mezi pres ditën e dielë kur zhvillojmë duelin ndaj Kosovës së Prishtinës në kryeqytet. Do të jetë vështirë, por jam i bindur se nëse luajmë si ekip dhe mendojmë për tifozët tanë të flaktë të cilët do të na mbështesi, atëherë mendoj se mund të nxjerrim një rezultat pozitiv”.
“A do të jem startues? Kjo varet nga trajneri. Unë i respektoj zgjedhjet e tij, ajo që dua unë është të fitoj ekipi dhe nëse do të kem rastin, do të jap 100 për qindëshin tim në fushë, atomin e fundit për të gëzuar tifozët”, u shpreh Mullabazi për Rahoveci24.
Ndeshja të dielën zhvillohet nga ora 13:00 në Prishtinë dhe bashkë me ekipin do të udhëtojnë edhe tifozët e flaktë Ultras Vreshtarët. /Rahoveci24/