Golden Eagle Ylli ka arritur ta mposht Pejën edhe në ndeshjen e tretë finale të play-offit të Superligës duke u shpallur kampion i Kosovës pas serisë 3-0.
Ndeshja e tretë përfundoi me rezultat 67-70 në të mirë të suharekasve.
Festa pas triumfit në finale ishte e madhe dhe këtë e meriton klubi i Yllit ashtu si e gjithë Suhareka për pjesën finale të sezonit të shkëlqyer që bënë.
Ata ishin më të mirë në gjysmëfinale duke mposhtur Rahovecin me rezultat 3-2 në ndeshje dhe me paraqitje shumë më të mira në parket, duke shkuar kështu në finale ku patën punë më të lehtë.
Në fakt, pengesa më e madhe e Yllit ishte Rahoveci dhe pas triumfit në gjysmëfinale ishte veç se formalitet puna e triumfit në finale.
Ylli dhe Suhareka kanë të drejtë dhe meritojnë të festojnë – për nivelin e investimeve që kanë bërë në klub që shumë vjet, e pas shumë kohësh ky mund është shpaguar, vetëm duke afruar profesionistë dhe njohës të vërtet të basketbollit brenda klubit që kanë bërë të mundur që fuqia sponsorizuese të kulmojë me një sukses të madh.
Golden Eagle Ylli pritet që të marrë pjesë edhe në garat evropiane si Champions League.
Kurse klubit tonë KB Rahoveci i mbetet që të fuqizojë pozitën e vet në Superligë në aspektin financiar dhe teknik duke afruar më shumë njerëz profesionist në klub dhe puntorë të basketbollit që e njohin sportin dhe kampioniatin në mënyrë që të vazhdohet konkurrueshmëria me rivalin e përbetuar KB Yllin.
Rahoveci është sportiv dhe të merituarve gjithmonë ua zgjat dorën, sidomos pas serisë epike gjysmëfinale pikërisht ndaj kampionëve të rinj!