Gjykata anulon konkursin për drejtor të shkollës FSHMU “Dëshmorët e Lirisë” në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Avdi Mustafa, i cili ka kërkuar anulimin e konkursit për përzgjedhjen e drejtorit të FSHMU “Dëshmorët e Lirisë”, në fshatin Potoqan i Ulët të Rahovecit.

Në aktgjykimin e 27 tetorit 2021, gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Mustafa, në të cilin thuhet se: Prishen vendimet e Komisionit sipas konkursit me numër 04/625 të datës 12 janar 2021, të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, sipas konkursit me numër 04/625 të datës 12 janar 2021, të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, Vendimi 286/2021 i datës 08 prill 2021, i Kryetarit të Komunës dhe rekomandimi i komisionit për zgjedhjen e drejtorit/eshës të institucionit edukativo – arsimor dhe aftësues dhe Vendimi numër 1678 të datës 27 prill 2021, të komisionit për shqyrtimin e ankesave për nënpunësit e shërbimit publik të komunës së Rahovecit për SHFMU “Dëshmorët e Lirisë” në Pataqan të Ulët të komunës së Rahovecit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu gjykata me këtë aktgjykim ka anuluar Komisionin sipas konkursit me numër 04/625 të datës 12 janar 2021 të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec për SHFMU “Dëshmorët e Lirisë” në Pataqan të Ulët të komunës së Rahovecit.

Komuna e Rahovecit gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës, në shumën prej 374.00 euro.

Gjykata thuhet se këtë vendim e ka mbështetur në Vendimin e Kuvendit të Komunës me numër të protokollit 01/175 i datës 26 shkurt 2021 për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në paragrafin e pestë (5) të dispozitivit parasheh që “Pas miratimit nga ana e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas dërgimit në autoritetin mbikëqyrës MAPL dhe 7 ditë pas shpalljes publike në tabelën e shpalljeve ose Web – faqen zyrtare të Komunës”.

Tutje në aktgjykim thuhet se siç shihet, vendimi është miratuar me datën 26 shkurt 2021, ndërsa në bazë të shkresës së udhëheqësit të zyrës për punë të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Skender Hamza të datës 27 shtator 2021, por edhe në bazë të vetë e-mailit të bashkëngjitur nga po i njëjti, vërtetohet se Komuna e Rahovecit njoftimin e tyre në MAPL e kanë dërguar me datën 02 mars 2021, ku 15 ditë pas kësaj date i bie të jetë data 17 mars 2021.

Në bazë të provës së fotografuar në web faqen e komunës, vërtetohet se ky vendim në web faqen e komunës është publikuar me datën 17 mars 2021, ku afati prej 7 ditësh prej publikimit të tij kalon me datën 24 mars 2021. Pra, prej datës së miratimit të këtij vendimi, e deri me datën 24 mars 2021, ky vendim ka qenë në periudhën e vocatio legis dhe i bie që vendimi nuk ka qenë në fuqi.

Në anën tjetër, sipas aktgjykimit komisioni komunal për përzgjedhjen e drejtorëve, ashtu siç vërtetohet me provën e quajtur formulari “B/1”, me datën 22 mars 2021, e kanë përfunduar fazën e parë të rekrutimit siç parashihet në legjislacion, dhe atë për përmbushjen e kushteve ose jo të kandidatëve, ku edhe e kanë nënshkruar këtë formular. Në këtë fazë kanë eliminuar kandidatët që i kanë konsideruar se nuk i përmbushin kushtet, ndërsa i kanë kualifikuar kandidatët që mendojnë se i kanë përmbushur kushtet duke vendosur pikë sipas dokumentacionit të dorëzuar.

Kjo sipas gjykatës përbën një shkelje, sepse komisioni ka  ndërmarrë veprime juridike në kohën kur vendimi për përzgjedhjen e komisionit rekrutues nuk ka qenë në fuqi.

Po ashtu sipas aktgjykimit, anëtarët e komisionit nuk kanë përvojën e punës në institucionet e arsimit ashtu siç kërkohet në UA për përzgjedhjen Drejtorit.Të ngjajshme

Ndryshe, më 13 tetor 2021 ishte mbajtur shqyrtimi kryesor ndërsa fjala përfundimtare është dorëzuar me shkrim.

Ndërsa, në padinë e ushtruar më 07 maj 2021, paditësi Avdi Mustafa, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën drejtor i FSHMU “Dëshmorët e Lirisë” të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec

Sipas padisë, paditësja kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Rahovec, pasi që i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

Por, sipas pretendimeve në padi, në njoftimin të cilin e ka publikuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec , Avni Morina , ne numër të referencës 04/687 të datës 22.03.2021 , të cilin e ka titulluar “ Njoftimi për intervistim ” me të cilën i informon kandidatët të cilët kanë aplikuar për drejtor shkolle paditësja  ka qenë në dijeni se është kualifikuar për fazën tjetër të rekrutimit .

Tutje në padi thuhet se drejtori i DKA – së në Rahovec nuk ka qenë pjesë e panelit intervistues por i njëjti ka publikuar këtë njoftim si dokument zyrtar e që do të duhej ta bënte Komisioni për zgjedhjen e drejtorit / eshës së institucionit edukativo – arsimor dhe aftësues.

Por sipas padis pas përfundimit të fazës intervistuese, paditësi në mënyrë verbale është njoftuar se kundër kandidati i tij është zgjedhur drejtor i SHFMU ” Dëshmorët e Lirisë ” në Pataqan të Ulët të Komunës e Rahovecit .

Pas kësaj , paditësi si kandidat për drejtor të shkollës ka parashtruar ankesën me numër të protokollit 1477/2021 , të datës 13.04.2021 . Përkundër se paditësi ka parashtruar këtë ankesë , procedura për përzgjedhjen e drejtorit ka vazhduar pa ndërprerë.

Paditësi pretendon se Komuna e Rahovecit gjatë këtij konkursi ka bërë shkelje të shumta si të natyrës procedurale ashtu edhe të natyrës materiale si: a ), ka emëruar anëtarë të komisionit të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe nënligjore nga sektori i arsimit për të qenë pjesë e konkursit ; b ) më pas në kohën kur kanë formuar komisionin për emërimin e drejtorëve nuk kishin komision për ankesa gjë që e kanë themeluar gjatë vazhdimit të konkursit ; c ) gjithashtu , përkundër ankesës së paditësit , komuna e Rahovecit nuk e ka ndaluar konkursin por ka vazhduar me procedurat e saja në mënyrë të kundërligjshme.

Në padi thuhet se për kundër ankesës së ushtruar organi përzgjedhës ka vazhduar me procedurat e rekrutimit duke mos u zgjidhur paraprakisht çështja diskutabile e parashtruar me ankesë . Në kuptim të dispozitave ligjore në fuqi por edhe parimet kushtetuese ankesa ka dy karaktere, ka karakter devolutiv në njërën anë , ndërsa në anën tjetër ka karakter suspenziv.

Karakteri devolutiv i ankesës nënkupton që për këtë çështje nuk është më kompetencë e organit rekrutues, por çështja në fjalë i kalon një organi tjetër më të lartë e në këtë rast ashtu siç është e paraparë në nenin 14 të Udhëzimit Administrativ 151/2020, pra Komisionit për Ankesa në kuadër të komunës së Rahovecit, ndërsa karakteri suspenziv i ankesës nënkupton që procedura nuk guxon të vazhdojë më tutje pa u zgjidhur çështja e ankesës, me fjalë më të thjeshtë procedura është dashur të pezullohet dhe të zgjidhet ankesa. Përkundër këtyre karaktereve të ankesës, organi në fjalë nuk e ka ndalur procedurën dhe ka vazhduar me rekrutimin e kandidatëve edhe pse kemi çështje të pazgjidhura.

Andaj duke pretenduar se e gjithë procedura e konkursit është përcjell me shkelje procedurale, paditësi ka paraqitur këtë padi duke kërkuar anulimin e këtij konkursi./Betimipërdrejtësi.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.