Mbrëmë, pas mesnatës, ka pasur të shtëna me armë zjarri në një restorant në fshatin Xërxë të Rahovecit. Pronari i lokalit dyshohet se ka gjuajtur pas një mosmarrëveshje të momentit me një mysafir që ndodhej në restorant.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se palët janë fjalosur me njëri-tjetrin, pasi pronari i restorantit i ka kërkuar viktimës të largohet prej aty. Për shkak të refuzimit të këtij të fundit, që të dalë nga lokali, i njëjti ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në dysheme.
Pasi Policia ka marrë informacionin për gjuajtjen me armë, disa njësi kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për motivet që e shtynë të përdor armën.
Sinjali mëson se në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, pronari i lokalit ka deklaruar se e ka përdorur armën pasi klienti që ishte në restorantin e tij ishte i dehur dhe kishte frikë se mund t’i shkaktonte probleme.
Për shkak të posedimit të paautorizuar të armës dhe shkaktimit të rrezikut, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja që janë konfiskuar bashkë me armën e përdorur.