Gastronomët e Rahovecit i janë bashkuar Gastronomëve të Kosovës në ngritjen e zërit për mbështetje në kohën e pandemisë.
Në një mbledhje modeste të mbajtur në Konak, gastronomët e Rahovecit u dakorduan që t’i bashkëngjiten protestës së Gastronomëve të Kosovës më 27 Korrik.
Lokalet e tyre do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri 13:00 në shenjë proteste ndaj Qeverisë së Kosovës e cila vazhdon të kufizojë punën e lokaleve deri në ora 21:00 dhe nuk ka ofruar asnjë mbështetje financiare në kompensim të dëmeve nga mos puna në kohën e pandemisë Covid 19.
Gastronomët e Rahovecit kërkojnë urgjentisht zgjatjen e orarit të punës së paku deri ora 23:00 dhe masa të domosdoshme të ndihmës financiare me prioritet nga Pako e Rimëkëmbjes.
Ata garantojnë se do të mbajnë distancën mes tavolinave dhe maska e obligueshme nga stafi i lokaleve.
Në rast se nuk ndodhin veprime konkrete nga Qeveria e Kosovës, Gastronomët e Rahovecit do t’i bashkërendojnë veprimet me Gastronomët e Kosovës me masa më radikale.
Protesta e Gastronomëve të Rahovecit vjen në kohën më të duhur kur dihet se me mungesën e diasporës, kufizimit të orarit të punës, shumë biznese rrezikojnë falimentimin dhe qindra puntorë të mbesin pa punë në qytetin tonë.