Vetëm 15 minuta larg nga Rahoveci gjendet Suhareka – natyrisht, kjo sikur të mos e dinim. Por, mjaft mirë e dimë rivalitetin sportiv me Suharekën tash e dekada me rrallë.
Ky nuk është lajm sportiv. Suhareka është zhvilluar në një nga komunat më të rëndësishme në Kosovë, me zhvillim të hovshëm ekonomik, ku dominojnë disa prej ndërmarrjeve më të mëdha. Ku brendet më të mëdha vendore e ndërkombëtare tashmë kanë përqëndruar investimet duke e shndërruar në një komunë tejet atraktive.
Kush nuk do të donte ta kishte një kryetar si Bali Muharremaj? Pa dyshim se ai është më meritori jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për unitetin e jashtëzakonshëm për investim në sport.
Teksa sot po flasim, Rahoveci po mbyll një nga sezonet më të tmerrshme në historinë e sporteve të saja. Basketbolli po lufton për mbijetesë, futbolli po ashtu në Ligën e Parë po lufton për mbijetesë, kurse sportet tjera ose nuk ekzistojnë ose kanë probleme me mbijetesë. Hiqe këtu hendbollin, që me një punë të shkëlqyeshme dhe me fonde qesharake arriti top katërshën sivjet.
Vetëm 15 minuta më larg, në Suharekë, Ballkani është afër ta fitojë titullin e parë në histori në futboll, vetëm një vit pasi fitoi titullin e parë në histori të klubit në basketboll. Edhe sivjet, Ylli ështa favorit për krejt trofetë dhe sezonin e ka kryer në vend të parë.
Teksa vitin e kaluar Rahoveci ishte pengesa më e madhe e Yllit, në futboll për Ballkanin lojtari më në formë i momentit është diamanti rahovecian, Meriton Korenica.
Këto rezultate sportive nuk janë dallimi i veteëm.
Në Rahovec kemi një kryetar krejtësisht të pa interesuar për sportin, sidomos atë të niveleve të larta. Smajl Latifi asnjëherë nuk ka qenë i dedikuar për të bashkëpunuar me klubet elitare të qytetit për të arritur rezultate sa më të mira. Smajl Latifi është i falur nëse nuk ka ditur si bëhet kjo, por megjithatë në partinë e tij ka një koleg që gjendet 15 kilometra larg e që mund ta marrë shembull, edhe nëse këshilltarët e tij po ashtu janë qëlluar të pa aftë.
Kush do që thotë se Smajl Latifi ka punuar shumë ose po punon për Rahovecin. Mos besoni në pallavra. Tregojani këtë fotografi.
Në Rahovec kemi pafund biznese që as edhe një cent nuk duan të investojnë në sport. Ka biznesmenë që preferojnë që tatimin e fitimit t’ia paguajnë shtetit, por jo të investojnë në klubet e qyteti. Në Rahovec, kemi kompani gjigante që as edhe një cent nuk e investojnë në klubet e qytetit, por që investojnë në klubet nga qytete tjera. Një injorim total që po i bëhet sporti, ndonëse kur janë ndeshjet e mëdha, të gjithë ngarendin që të zënë një vend në ulëset e para për t’u fotografuar. Kjo është qasje e turpshme.
Këta biznesmenë kanë të drejt të kenë dyshime për udhëheqësitë e klubeve. Kanë të drejtë të çojnë paratë e tyre ku duan. Por…
…Vetëm 15 minuta më larg gjendet Suhareka, aty ku Cima Construcion i Arsim Kabashit ka marrë në pronësi klubin e futbollit dhe pas 5 vitesh dhe milionave të investuara, klubi i Ballkanit është afër trofeut të parë. Paramendoni sa kohë e gjatë ka shkuar?
Në basketboll kemi Shaqir Palushin dhe Golden Eagle Yllin që fare nuk ka në pronësi klubin suharekas. Afro 200 mijë euro kjo kompani i derdh në bazë vjetore në arkat e klubit suharekas. Ky është vetëm spekulim, por duke marrë parasysh investimet e bëra, edhe nëse është gjysma e kësaj, atëherë me të vërtet kjo është fantastike. Golden Eagle nuk është pronar i klubit, megjithatë, investon në bazë të rregullt në klub, kurse rezultati erdhi vetëm vitin e kaluar, pas 6 vitesh agoni në basketbollin kosovar dhe milionave të dhuruara për klubin.
Këto nuk janë para të hedhura në kosh. Investimi i biznesmenëve në bashkëpunim me komunat nuk është djegie e parave.
Nëse nuk mendoni njëjtë, atëherë mund t’i pyesni fëmijët tuaj se kë e kanë idoll dhe çka po luajnë – ata do t’iu përgjigjen më së miri.
Rahoveci ka nevojë për një revolucion të madh dhe unitet të jashtëzakonshëm duke filluar nga kryetari i komunës, Smajl Latifi bashkë me biznesmenët e komunës së Rahovecit në mënyrë që lavdia e sportit t’i kthehet qytetit tonë.
Rahoveci është shndërruar në komunën më depresive në Kosovë e më gjerë.
Është esenciale që puna e mirë e klubeve të vazhdojë dhe të rritet potenciali i investimit, në mënyrë që sporti të jetojë në Rahovec fuqishëm dhe të mos mbijetojë çdo vit.
Sepse kështu kemi për çka të jetojmë në Rahovec. Sepse kështu Rahovecin e vizitojnë më shumë njerëz dhe njoftohen me bukuritë e vendit tonë.
Me Suharekën kemi rivalitet të përbetuar në çdo aspekt. Por, duhet t’ua shtrijmë dorën dhe të përvjelim mëngët në mënyrë që një vit katastrofal si ky të mos përsëritet kurrë më.
/Rahoveci24/