KB Rahoveci e pret KB Vëllaznimin të shtunën nga ora 19:00 në tempullin mitik, aty ku i ringjall basketbolli kosovar, “Mizahir Isma”.
Palestra më moderne në Ballkan e pret këtë sfidë me Rahovecin që gjendet në moment shumë delikat.
Një humbje do të thoshte distancim i tepërt i Vëllaznimit në tabelë, kurse një fitore automatikisht do të kthente Rahovecin në luftë për titull të kampionit, që është çdo vjet synimi kryesor i klubit dhe gjithë qytetit.
Ekipi është i fokusuar, megjithëse është pritur ndonjë përforcim, duket se ende nuk është vendosur, teksa ka pasur largime, siç është ai i Devin Johnson i cili njihej për trepikëshat e tij.
Ndërkaq, Musab Mala mbetet në dyshim, por tendenca është që ai të mos luaj, ndonëse ekipi ka nevojë të jashtëzakonshme për të. Ndonëse nuk është 100% i gatshëm, Musab Mala mund të detyrohet të luajë nëse nuk vjen ndonjë përforcim. Këtë vendim e merr Muhamed Thaçi në ditën e ndeshjes.
Për këtë të fundit ndeshja ndaj Vëllaznimit është shumë e rëndësishme duke ditur se ndeshjen e parë e morën gjakovarët falë ndihmës së gjyqtarëve, ku ju deshën edhe dy vazhdime.
KB Rahoveci në këtë takim pret mbështetjen e gjithë publikut dhe qytetit, ku vetëm me tempullin mitik të stërmbushur mund të mposhtim secilin ekip, pavarësisht kush është ai ekip, përfshirë këtu edhe Vëllaznimin.
Në Rahovec, topi nuk kalon…
/Rahoveci24/