KB Rahoveci e ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e qytetit, duke shkatërruar KB Yllin në mes të Suharekës me rezultat të thellë 103-83.
Ndeshja filloi pasditën me të diell të të dielës, e cila në fillim dha indikacione për një sfidë të qetë dhe me sportivitet.
Megjithatë, me të hyrë tifozët Ultras Vreshtarët brenda që udhëtuan me disa autobusë drejt Suharekës situata ndryshoi.
20-30 tifozë të Yllit të ndihmuar nga tifozë të tjerë dhe të inspiruar nga Agron Berisha, filluan të ngrisnin tensionet qysh në fillim të ndeshjes duke hedhur gjësende dhe duke bërë provokime.
Kjo erdhi pas çerekut të parë bombastik ku Rahoveci krijoi epërsi prej 11 pikësh, duke realizuar plot 34 sosh.
Në vazhdim të takimit nuk ndalej spektakli me treshet e Tyler Deihl, gjuajtjet nga gjysmëdistanca të Mustafë Merovcit dhe ngulitjet spektakolare të Artin Gashit, i cili u akuzua për terrorizëm pas takimit dhe u intervistua nga policia (shaka, performanca e tij vërtet terrorizoi kundërshtarët pasi ishte i pakapshëm, e në sy të ish trajnerit të tij Agron Berisha nguliti rreth 10 herë fuqishëm, madje duke e thyer edhe koshin për një moment).
Në fund të pjesës së parë tifozë të irrituar të KB Yllit shkuan në anën tjetër dhe vodhën transparentin Narcos Boys të nëngrupit të Ultras Vreshtarëve, teksa disa të tjerë hynë duke tejkaluar edhe policinë në anën e tifozëve të Rahovecit për të nisur një rrahje e cila zgjati disa sekonda para se të ndërpritej ajo dhe tensioni u bart edhe më shumë në tribuna.
Loja e mirë vazhdoi edhe në çerekun e tretë ku u thellua epërsia dhe shkoi edhe në 30 pikë.
Ndërkohë pësoi Ylli Gashi, lojtari i talentaur i cili theu hundën gjatë një dueli, dhe është dashur t’i nënshtrohej operimit. Ai është në gjendje stabile dhe pritet të kthehet së shpejti në parket.
Deri në fund të takimit kishte tensione pa fund dhe situata nuk ishte aspak e lakmueshme për ata që ishin prezent nga Rahoveci, megjithatë, tifozët Vreshtarët treguan shembull që përkundër fyerjeve dhe provokimeve nuk u përgjigjen asnjëherë, as hedhjeve me shkrepëse e as me shishe. Më e pakëta që meritoi Ylli ishte përjashtimi i publikut nga salla me gjithë ato shkrepëse të hedhura në parket.
Deri në fund të ndeshjes pamë edhe inkuadrimin e Berat Mullabazit dhe Albion Metbalës me këtë të fundit që realizoi edhe treshen e fundit për 103-83.
Pas ndeshjes policia siguroi të ardhurit nga Rahoveci dhe tifozët duke përcjellë deri në dalje të Suharekës pasi që fraksione të tifozëve në qytet prisnin për të vandalizuar qytetarët.
Duke filluar nga trajneri që e menaxhoi ndeshjen për mrekulli, e duke vazhduar me të gjithë lojtarët pa përjashtim, të gjithë ishin të përkryer, por spikati Artin Gashi i cili realizoi 31 pikë dhe 13 kërcime, ndihmuar nga Tyler Deihl me 24 pikë prej tyre shtatë treshe, dhe Mustafë Merovci me 11 pikë.
Besnik Sharku regjistroi 6 pikë dhe 8 kërcime, kurse Bellinger dhe Rony Blanchard nga 9 pikë.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për KB Rahovecin, seria e parë prej tri fitoreve në histori, fitorja e parë në histori ndaj një ekipi mbi nesh në tabelë dhe një fitore e cila mund të inspirojë skuadrën drejt një fitore edhe ndaj Trepçës e cila ballafaqohet me shumë probleme financiare dhe organizative, teksa menaxhimi i përkryer i lojës nga Jeton Nixha dhe angazhimi i treguar nga ekipi tregojnë se ky trajner meriton edhe një shans për sezonin e ardhshëm, pasi më fondin e duhur të lojtarëve është në gjendje të mposhtë cilin do ekip, ku do në Kosovë.
Rahoveci tash ka 9 fitore dhe nëse shënon edhe një fitore këtë sezon e tejkalon Yllin edhe në tabelë. /Rahoveci24/