Fitore e madhe e KF Rahovecit ndaj Dukagjinit

KF Rahoveci ka shënuar fitore të madhe në shtëpi ndaj KF Dukagjinit me rezultat 2-0.

Ndeshja nga minuta e parë në stadiumin Selajdin Mullabazi – Mici, ishte dominuar nga djemt tanë, të cilët ishin më të mirë në secilin aspekt.

Mbrojtja tregoi maturi të jashtëzakonshme, ku të rikthyerit Muhamed Shehu dhe Hamëz Merxha ishin të palëkundur.

Në mesfushë Durim Gashi kishte gjithçka nën kontroll duke i vënë lojtarët para pozitave të mira të shënimit dhe të realizimit të aksioneve.

Në minutën e katërt ishte një harkim nga këndi ai që e pa një tollovi të krijuar në zonë, e cila e vuri Hamëz Merxhën në pozitë shënimi, i cili nga afër për 1-0 realizoi gol të epërsisë.

Pas gjysmë ore lojë ishte një tjetër top i mirë në zonë ai që e vuri në pozitë të përshtatshme njëri nga lojtarët i cili realizoi për 2-0.

Deri në fund të takimit Rahoveci pati edhe një shtyllë nga Agim Hoti, teksa Dukagjini sulmoi shumë duke kërkuar kthesën, megjithatë pësoi humbje me meritë.

KF Rahoveci kështu me këtë fitore lëshon pozitën e fundit duke grumbulluar 17 pikë në vendin e 12-të, po aq sa ka edhe Ulpiana.

Në vendin e 11-të është Ballkani dhe nëse arrihet kjo pozitë me dy fitore që mund të arrihen së shpejti, atëherë mbijetesa do të bëhej e sigurtë. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.