KF Rahoveci ka arritur një fitore të jashtëzakonshme ndaj liderit të Ligës së Parë, Ferizajit, në stadiumin “Selajdin Mullabazi – Mici” në Rahovec. Ndeshja përfundoi me rezultat minimal 1-0.
Ekipi i reformuar i Rahovecit me shumë blerje u prit nga qindra shikues në një mot me vranësira që e kaploi qytetin tonë pasditën e të shtunës.
Pjesa e parë kaloi me balans dhe dominim të lehtë të djemve tanë, të cilët arritën që të qëllojnë edhe shtyllën.
Më interesante pa dyshim se ishte pjesa e dytë.
Mentaliteti ofanziv i Rahovecit u vërejt në pjesën e dytë, ku në minutën e 55-të, Astrit Berisha shpoi portën kundërshtare për të shënuar për 1-0 dhe epërsinë tonë.
Gjërat u vështirësuan kur 20 minuta para përfundimit të takimit Çaner Gëzim u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Ferizaji deri në fund bëri përpjekje që të barazonte, por mbrojtja e Kenan Haxhihamzës mbeti e paprekur, falë mbrojtjes së fortë.
Kjo ishte vetëm humbja e dytë këtë sezon për Ferizajin që mbanë vendin e parë në Ligën e Parë, teksa për KF Rahovecin ky është moment i kthesës këtë sezon pas rezultateve negative.
KF Rahoveci tani përkohësisht është në vendin e 11-të me 19 pikë të tubuara. /Rahoveci24/