Filozofia e mrekullueshme kroate e të jetuarit ngadalë

Në Dubrovnik, “pomalo” nuk është thjesht një luks pushimi – është një filozofi jete që ndikon gjithçka, nga noti në det e deri te drekat e gjata.

Shkruar në BBC nga: Kristin Vukovic, përkthyer dhe përshtatur nga: Arnolld Korenica

osa1

Kur i thashë bashkëshortit tim se më duhej një “mumcation” (pushim për nënat), ai e dinte menjëherë ku do të shkoja. Tërheqja ime ndaj Kroacisë nuk është sekret: kam humbur numërimin e herëve që kam vizituar vendlindjen e gjyshërve të mi (më shumë se dyzet herë), madje kam shkruar edhe një roman që zhvillohet aty. Qyteti i vjetër i Dubrovnikut – “stari grad” – ma vodhi zemrën që në vitin 2001, kur e pashë për herë të parë me prindërit e mi.

Në këtë udhëtim vetëm, kisha një qëllim të vetëm: ta përjetoja pomalo, stilin e jetesës dalmate që mishëron qetësinë dhe mungesën e ngutjes. Doja të rilidhesha me veten, larg ritmit të shpejtë të Nju Jorkut.

“Zgjohemi pomalo, pimë kafe pomalo, hamë pomalo, kalojmë kohë me miqtë pomalo, jetojmë pomalo,”
— tha Ivan Vuković, miku im i vjetër dhe udhërrëfyes (guide) lokal në Dubrovnik.

Ai më paralajmëroi të mos e ngatërroja pomalo me fjaka, një ndjenjë e përkohshme si “dolce far niente” italiane – ëmbëlsia e të mosbërës asgjë.
Sipas profesoreshës Deša Karamehmedović nga Universiteti i Hercegovinës, “Pomalo nuk është vetëm ‘merr ngadalë’. Është një gjendje mendore, një filozofi jete. Do të thotë të ngadalësosh, të jesh i pranishëm në moment dhe të shijosh gëzimet e thjeshta pa nxitim.”

Ajo që dëshiroja ishte pak kohë vetëm – si vite më parë, kur si studente në Dubrovnik shikoja njerëzit nga kafeneja Festival në Stradun, duke shkruar në ditar për orë të tëra me një filxhan kafeje përpara. Doja të rilidhesha me versionet e ndryshme të vetes që kanë mbetur brenda meje: studentja që u dashurua me qytetin, gruaja që u fejua dhe u martua aty, dhe nëna që festoi ditëlindjen e parë të vajzës në të njëjtin tarracë ku pati dasmën.

Këtë herë nuk bëra plane. Thjesht bleva biletën për gusht dhe rezervova hotelin tim të preferuar.

“Në Dubrovnik, pomalo ndikon në ritmin tonë të përditshëm – kafeja nuk pihet me nxitim, bisedat nuk ndërpriten dhe jeta rrjedh me ritmin e saj,”
— shpjegon Karamehmedović.

Pomalo është thellësisht dalmat, i lidhur me detin, diellin dhe erën e lehtë “povjetarac”. Madje, sipas studiuesve, kjo mund të jetë edhe një zgjidhje ndaj turizmit të tepërt – duke i ftuar vizitorët të përjetojnë më thellë një vend, një moment, një takim.

Në pasditen e parë, shkova me Ivanin në plazhin e Lapadit, ku vendasit luanin letra dhe pinin birra në barin Splendid. Sapo u futa në ujërat e pastra të Adriatikut, ndjeva se lodhja më iku menjëherë.

Të nesërmen, nga tarraca e hotelit “Stari Grad”, pija kafenë dhe shikoja njerëzit që ecnin në muret mesjetare e fëmijët që luanin basketboll në njërin nga terrenet më të bukura në botë. Në mëngjes kishte fiq të freskët dhe vezë organike nga ferma e pronarëve – çdo detaj i thjeshtë përjetohej me qetësi, me “pomalo”.

Vuković më prezantoi me pronarët e rinj të hotelit, Anna Slabovska dhe Sedi Fetahi, të cilët u njohën në Stradun në vitin 2016. “Ishte dashuri me shikim të parë,” tha Anna. Pasi kishin jetuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër, ata e gjetën lumturinë pikërisht këtu: “Na duhej vetëm pak nga jeta ‘pomalo’,” shtoi ajo.

Ata më ftuan të shihja vilën e tyre të re në fshatin Kobaš, në gadishullin Pelješac. “Përvojën e mysafirëve po e ndërtojmë rreth thelbit të pomalo,” tha Anna. “Kur ndalon ngutia, fillon magjia.”

Në rrugë ndaluam në Ston për të parë kopshtin e tyre me fruta e perime dhe pulat, ndërsa më vonë u çlodhëm me fiq të freskët dhe një darkë me makarona të përgatitura nga familja e Annës. Në fund të ditës, ndjeva se pomalo po funksiononte tek unë – mendja më ishte qetësuar, supet më ishin liruar dhe frymëmarrja më ishte bërë më e lehtë.


Si ta përjetoni “Pomalo” në Dubrovnik

  • Zgjateni kafenë ose koktejin: Uleni për orë të tëra në një kafene në Stradun ose në një tarracë me pamje nga deti.
  • Notoni si vendasit: Pasdite, në Lapad ose Cavtat, ku Adriatiku është më i qetë.
  • Shijoni vaktet me ngadalë: Provoni peshkun e freskët me blitva ose “šporki makaruli”, duke e shoqëruar me verë lokale.
  • Zgjidhni rrugën panoramike: Merrni tragetin për Cavtat, një udhëtim në Pelješac për verë e gaforre, ose thjesht ecni në qytetin e vjetër pa orar.

Në fund, gjithçka përmblidhet në këtë ide:
Pomalo nuk është të bësh më pak – por të jetosh më shumë.
Ta shijosh momentin, detin, bisedën, kafenë… ngadalë.

“Në Dubrovnik kemi një shprehje: ‘Pomalo, vrag odnio prešu!’ – që do të thotë ‘Ngadalë, se djalli merr nxitimin!’” – tregon autorja Jadranka Ničetić, e cila ka shkruar gjerësisht për gastronominë, traditat dhe recetat e rajonit.
“Sjellja e ngadaltë e jetesës pasqyrohet në çdo ditë tonën – është diçka që na rrjedh në gjak.”

Vaktet në Dubrovnik janë mishërimi i vërtetë i pomalo.
“Ne nuk e lejojmë ritmin e çmendur të qytetit të na diktojë ritmin në tryezë,” shton Ničetić.

Në një të shtunë pasdite, pa ndonjë plan, u takova me shoqen time shkrimtare Vesna Jakšić Lowe, e rritur këtu, për një drekë të gjatë në restorantin Orsan në gadishullin Lapad. Pimë verë lokale pošip, shijuam sallatë me gaforre dhe djathë vendas, ndërsa dielli i nxehtë i pasdites përvëlonte qytetin.
Pastaj, ngadalë, u nisëm drejt shtëpisë së saj familjare dhe u shtrijmë në tarracën prej guri me pamje nga deti – duke e lënë kohën të rridhte, pomalo, ashtu siç bën jeta në Dubrovnik.

Më vonë, u ritakuam në qytetin e vjetër për një mbrëmje spontane në M’arden, një bar vere i fshehur në një tarracë të qetë nën hijen e gjetheve. Në Nju Jork, zakonisht mezi gjejmë kohë për t’u parë — një kafe e shpejtë apo një pasdite shkrimi përpara se të marrim fëmijët nga shkolla.
Por atë mbrëmje, gjithçka ishte ndryshe: biseduam pa nxitim, pa orë, pa kufi, duke shijuar gotat e verës deri në mbyllje të lokalit.

Më pas, zbulova se miku im i universitetit, Tristan Perich, ndodhej gjithashtu në Dubrovnik. Vendosëm të takoheshim për not dhe një darkë të qetë të së dielës.
Edhe pse të dy jetojmë në qytetin e njëjtë, nuk ishim parë për më shumë se një dekadë — dhe duket se pikërisht në Dubrovnik, në frymën e pomalo, ishte koha e duhur për t’u ribashkuar.

Në frymën e pomalo, mora tragetin panoramik 45-minutësh drejt Cavtat, një qytet bregdetar historik, dhe ndalova për një gotë verë në Wine Bar Banac me mikun tim Vlaho Carević, themelues dhe CEO i Habitat Distillery – destilerisë së parë artizanale të gin-it në Dubrovnik.

“Si distilues, pomalo ndikon në çdo gjë që bëj,” – tha Carević.
“Do të thotë të kërkosh ekuilibër, të përmirësosh çdo proces dhe të nxjerrësh shije që shkojnë përtej vetë shijimit – shije që zgjojnë emocione të vërteta tek njeriu që i përjeton. Në këtë mënyrë, pomalo është njëkohësisht filozofia ime e jetës dhe thelbi i çdo pije që krijojmë.”

Më vonë, Carević më çoi në shtëpinë e familjes së Perich në Mikulići. Notuam në det me familjen e tij në Prevlaka, pranë kufirit me Malin e Zi, dhe më pas darkuam të gjithë në Konavoski Dvori Eco Green Restaurant – një vend i mrekullueshëm i ndërtuar mbi themelet e një mulliri të lashtë, buzë lumit Ljuta.

Pas darkës, Perich dhe unë bëmë një shëtitje me djalin e tij përgjatë një shtegu nëpër pyllin që po errësohej, duke thithur ajrin e pastër dhe duke dëgjuar zhurmën qetësuese të lumit – përpjekje për të kapur kohën e humbur pas dhjetë vitesh. Kur u kthyem te tryeza, bashkë me gruan dhe vajzën e tij, shijuam bukë të bërë në shtëpi me kajmak (produkt qumështi i trashë dhe kremoze) dhe troftë të pjekur të sapo kapur.

“Sa mirë që më në fund patëm mundësinë të kalojmë kohë bashkë pas kaq vitesh,” – më shkroi Perich pasi u ktheva në shtëpi.

Dhe ja, ky është pomalo në formën e tij më të pastër:
Të shijosh jetën me ritëm të qetë, të gjesh lumturi në lidhjet e sinqerta dhe të vlerësosh çdo moment.

Siç më kujtoi Ničetić:

“Pse të nxitohesh, kur mund ta shijosh jetën?”

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.