Kanë filluar spekulimet para fillimit të sezonit të ri në Superligë. Edhe pse pa palestër, klubi sipas shumë besohet se nuk po pushon së punuari në drejtim të perfeksionimit të organizimit dhe të përforcimit edhe në aspektin sportiv.
Dhe, duket që edhe Valentin Spaqi, trajneri legjendar i KB Rahovecit, tashmë po provon të joshë lojtarët më të mirë që janë në tregun vendor.
Eshtë vet tekniku legjendar ai që ka nxitur spekulime, kur në një komunikim publik me basketbollistin e KB Yllit, Urim Zenelaj, aludon se mund ta transferojë atë.
Në urimin për Superligë të basketbollistit më të mirë në Kosovë për këtë sezon, Valentin Spaqi ia kthen përgjigjen duke i thënë se shpreson se ata bashkë t’i arrijnë sukseset, shkruan Rahoveci24.
Për këtë mjafton vetëm të shikoni foton dhe të vërtetoheni për afërsinë mes teknikut legjendar nga Prizreni dhe qendrës monstruoze që ka luajtur për KB Yllin këtë sezon.
Urim Zenelaj është absolutisht basketbollisti më i mirë këtë sezon në Kosovë, me 25 pikë, 16 kërcime dhe 4 bllokada për ndeshe, mesatare statistikore që asnjë lojtar tjetër nuk e ka në Superligë, përfshirë edhe Dardan Berishën i cili është larg prapa Zenelajt.
Nëse KB Rahoveci arrin ta transferojë Zenelajn, do të ishte një prurje e fuqishem para sezonit të ri, marrë parasysh thellësinë e skuadrës së KB Rahovecit për nga kualiteti teknik, me lojtarë që do të mund t’i përshtaten qendrës 214 centimetra të gjatë, i cili pothuajse vet e mbajti në Superligë KB Yllin dhe për pak sa nuk siguruan edhe playoffin. /Rahoveci24/