Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në koordinim me zyrtarin ndërlidhës për diasporë, drejtorë të drejtorive komunale ,OJQ të ndryshme në Komunën e Rahovecit ka nisur sot aktiviteti i parë që shënon hapjen e Muajit të Mërgimtarëve.
Komuna e Rahovecit për nder të Muajit të Mërgimtarëve ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e saja duke qenë sa më afër mërgimtarëve të cilët muajt korrik dhe gusht i shfrytëzojnë për të qëndruar në vendlindjen e tyre.
Komuna tashmë ka bërë publike edhe tërë agjendën programore e cila shihet se është mjaft e pasur dhe e ngjeshur me aktivitete të shumta kulturore e zbavitëse, sportive e informuese.
Kryetari Latifi u shpreh se është i bindur se për mërgatën asnjëherë nuk është e mjaftueshme, por kësaj radhe ata do të kenë shumë mundësi dhe alternativa për të zgjedhur programin ose aktivitetet që ata preferojnë.
Me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira Kryetari Latifi ka nënshkruar vendimin për zgjatjen e orarit të punës për Zyrtarët e Gjendjes Civile, Zyrës së Pranimit dhe Zyrtarët e Tatimit në Pronë të Komunës së Rahovecit dhe atë çdo ditë pune prej orës 16 deri ora 18 dhe të shtunën nga ora 9 : 00 deri ora 12: 00. Zgjatja e orarit të punës për punonjësit fillon nga data 16 Korrik deri më 17 Gusht 2018. Për zbatimin e këtij vendimi kujdeset, Drejtoria për Administratë.
Ndihemi krenarë me mërgimtarët tanë që jetojnë në Evropë e Amerikë e kudo në botë. Për këta dy muaj sa qëndroni në Rahovec ju jeni vlera më e madhe që ne e kemi në Komunën tonë. Falënderim përjetë për punën e madhe që keni bërë për zhvillimin e Komunës tonë.