Ende asnjë “zyrtare” te KB Rahoveci, ndonëse thuhet se po punohet

Data 1 Korrik ashtu si vitin e kaluar do ta gjejë KB Rahovecin pa ekip dhe pa trajner.

Pas sezonit më të dobët në histori të klubit ku nuk u arrit sigurimi i playoffit, një gjë që ishte shndërruar në “traditë’, klubi u përvjel në mëngë për të ndryshuar organizimin me “grupin e milionerëve” që ishin të gatshëm të marrin pronësinë e klubit dhe garancinë për të ardhmen e tij. Megjithatë, kjo ide momentalisht është në “status quo” deri në një moment më të favorshëm për klubin.

Aktualisht bordi i është kthyer formatit të vjetër të punës, pa ndryshime në strukturën e organizatës, me udhëheqësit e njëjtë që mbeten në krye…. pra Alban Rama vazhdon të jetë president i klubit përkundër sezonit katastrofal.

Klubet tjera tashmë kanë konfirmuar risitë e para, nëse jo lojtarët, së paku trajnerët, por KB Rahoveci ende jo.

Megjithatë, zyrtarë të klubit i kanë thënë gazetarëve tanë se tashmë po punohet dhe për trajner pritet të vendoset shumë shpejt “ndoshta edhe para se të vijë data 1” çka nënkupton se Muhamed Thaçi mbetet favorit për postin e kryetrajnerit, me strategun që është duke i analizuar mundësitë te KB Rahoveci, që do të përbënte aventurën e tij të parë në basketbollin kosovar pas sukseseve në Gjeorgji ku u shpall trajneri më i mirë i vitit.

Në aspektin e lojtarëve, Rahoveci është në luftë të ashpër me Pejën për disa lojtarë, ku klubi Vreshtar ka avantazh të konsiderueshëm në këto negociata në dallim me klubin pejan, për shkak të qytetit, atmosferës dhe dashurisë që ekziston për basketbollin në Rahovec. Edhe pse Rahoveci është në pole pozicion për këta lojtarë, ende nuk ka asnjë lojtar të konfirmuar 100% dhe negociatat e “lufta e ashpër” me klubet tjera po vazhdon.

Madje, situatë e komplikuar shihet edhe për djemtë e qytetit të cilët janë të vërshuar nga ofertat prej klubeve tjera në një edicion ku lojtarët vendorë do të jenë të privilegjuar pasi ekziston mungesë e të tillëve kur dihet se Ylli dhe Trepça i kanë grumbulluar tashmë më të mirët e Kosovës.

Sa i përket të huajve klubi besohet se po analizon me kujdes situatën pas gabimeve të sezonit të kaluar, të cilat duhet patjetër që të përmirësohen në një sezon të komplikuar ku kostot kanë shkuar në qiell nga klubet tjera.

Një gjë është e sigurtë – sezoni i ri në Rahovec është duke u pritur me entuaizazëm të jashtëzakonshëm pasi “ekzistojnë pendesa” për edicionin e kaluar, sidomos kur dihet ecuria pre 7 fitoreve rresht në pjesën e dytë të sezonit dhe mos arritjes në playoff.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.