Emërimet kontraverse të Smajl Latifit – asnjë reagim nga opozita

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me 99% e ka kompletuar kabinetin e tij qeverisës – i cili natyrisht do të jetë pa koalicion.

Duke llogaritur në votat e disa prej asamblistëve opozitarë që nuk do t’i dërgjojnë partitë e tyre dhe do ta përkrahin në qeverisje, ashtu sikurse duke llogaritur edhe te asamblistë të partive tjera që i mori në AAK, Latifi ka arritur që pas dy muajsh pritje të sjell një kabinet qeverisës.

Megjithatë, kabineti i tij qeverisës në përbërje ka shumë emra të rinj të padëshmuar profesionalisht. Eshtë sekret publik se këta konsiderohen vetëm si marioneta për realizimin e planeve të tij.

Për emrat e rinj në qeverisje reagoi ditë më parë edhe antari i shoqërisë civile, Betim Zllanoga, i cili ashpër goditi këtë “garniturë qeverisëse” të Smajl Latifit.

“Shumica e drejtoreve te emruar dhe te riemruar ne Rahovec jane reflektim i inatit, vet-kenaqesise, egos (ne kuptimin e keq te fjales) dhe mungeses se objektivave dhe vizionit nga ky pushtet!

Koha do ta deshmoje, por ky ekip eshte i destinuar te deshtoje. Themelet e shtepise (lexo: pushtetit) te vendosura nga dita e pare pas zgjedhjeve jane te dobeta qe nuk i bejne dot balle as termeteve me epiqender ne Zvicer”, shkroi Zllanoga në një postim në Facebook.

Teksa tashmë ka dilema për të zgjedhurit e Smajl Latifit, kontraverse konsiderohen ri-emërimet e drejtoreve të qeverisjes së kaluar, bie theksi i veçantë mbi drejtorinë e Arsimit, të cilën sërish do ta udhëheqë Avni Morina.

Kujtojmë se Morina në fund të mandatit të kaluar pati shkelje të konstatuara nga Inspektorati që pasuan me rekomandim për shkarkimin e tij, gjë që nuk e përfilli Smajl Latifi.

Tash, ai edhe e ka ri emëruar Morinën.

Shumë mësimdhënës dolën publikisht, siç ishte rasti i Adelina Kollarit, e shumë mësimdhënës të tjerë dhe pjesmarrës në procese arsimore që akuzuan Morinën për keqpërdorimet dhe manipulimet e tij, e shumë të tjerë që hezituan të dalin publikisht.

Me ri-emërimin e Avni Morinës, Smajl Latifi “mbylli gojën e mësimdhënësve me ngjitës najloni” edhe për 4 vite të tjera, duke shpërfillur të gjithë.

Aleanca opozitare dhe gjumi i opozitës

Emërimet kontraverse dhe kjo garniturë me shumë dilema e qeverisjes për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar u përshkua me një heshtje nga opozita.

VV si partia më e madhe opozitare dihet se ka pasur probleme të brendshme, por për zhvillimet e fundit nuk ka reaguar fare e duket se ende gjendet ky subjekt në paqartësi pas largimit të Shqipe Kryeziut në drejtim të AAK-së. Edhe pse arriti që ky subjekt ta bëjë Defrim Kafexhiun si kryetar të Asamblesë, ende nuk ka pasur reagim për vendimin autokratik të Smajl Latifit.

PDK në anën tjetër ka qëndruar e kompozuar në Asamble Komunale, duke u rrezistuar joshjeve të shumta nga Smajl Latifi, ku disa asamblistë në njërën anë janë zotuar se nuk do të votojnë projektet e Smajl Latifit, në anën tjetër këtij të fundit i kanë premtuar në shkëmbim të favoreve se do të mundësojnë qeverisjen e tij. Së paku deri tash përkundër rrezistimit të të gjitha ofertave nga Smajl Latifi, PDK nuk ka bërë ndonjë reagim për emërimet e Latifit edhe pse ishte në pole-pozicion për koalicion pasi këto dy parti edhe në komuna tjera kanë bashkëqeverisur.

LDK në anën tjetër ka dyshime po ashtu në asamblistë të saj që po ashtu u joshën nga Smajl Latifi, megjithatë Burim Krasniqi në mënyrë shumë të vendosur po monitoron situatën për të mos lejuar ndonjë devijim nga opozitarizmi i këtij subjekti.

As ky subjekt nuk reagoi për emërimët kontraverse të Smajl Latifit, gjë që është vërtet e çuditshme.

I VETMI subjekt që reagoi për këto emërime… ishte vet AAK!!!

Rahoveci24 mëson se fraksione në AAK janë kundër emërimeve të Smajl Latifit dhe këtu përfshihen persona shumë të afërt të kryetarit të ri-zgjedhur e figura të fuqishme të AAK-së në Rahovec të cilët konsiderohen edhe si prijës të fitores së Aleancës që arriti numër të hatashëm të votave në zonat rurale. Këto reagime janë edhe publike në rrjetet sociale, teksa vet Smajl Latifi duket se ka shpërfillur edhe thirrjet e njerëzve më të afërt të tij për emërimet që janë bërë.

Pra, reagimi i vetëm kundër emërimeve të Smajl Latifit erdhi nga subjekti i tij dhe nga rrethi i tij i ngushtë, e jo nga opozita, çka flet shumë për sigurinë në veprimet e tij dhe kontrollin që zotëron ndaj personave brenda subjekteve opozitare.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.