Ekskluzive: Idriz Vehapi do të kandidojë për kryetar në zgjedhjet e ardhshme

Ashtu siç ka pasur indikacione, ashtu edhe është konfirmuar – ikona e PDK-së në Rahovec, Idriz Vehapi, rikthehet sërish në politikë me kandidaturë.

Burime të Rahoveci24 brenda kryesisë së PDK-së në në Qendër, kanë konfirmuar se Idriz Vehapi do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës së Rahovecit në zgjedhjet e ardhshme që mbahen në vitin 2025.

Kur është menduar se Smajl Latifi nuk ka rival, duket se ndryshe ka menduar Idriz Vehapi dhe PDK.

Idriz Vehapi më parë ka qenë kryetar i komunës së Rahovecit dhe gjithmonë e ka pasur kundër kandidat Smajl Latifin. Herë njeri, e herë tjetri, fituesi gjithmonë u përcaktua për disa dhjetëra vota, që tregon se sa i madh është rivaliteti mes këtyre dy figurave politike nga PDK dhe AAK.

Pa dyshim, kjo do të jetë një përballje titanësh, e një kandidaturë e tillë pritet vetëm që t’i ndezë motorrët në AAK, e cila ashtu kështu ka filuar fushatën tash e sa kohë me vizitë nëpër shtëpi, e nëpër biznese, që tregon për punën që kjo parti po bën në terren për të rifituar pushtetin.

Kandidatura e Idriz Vehapit në një formë konfirmon sërish një përballje titanësh me Smajl Latifin, i cili edhe nëse ka menduar të largohet nga politika, tash padyshim se do të ri-kandidojë për të mos lejuar që pushteti të rrëshqasë në duart e PDK-së e cila është e etur për t’u kthyer në institucionet e komunës së Rahovecit.

Mbetet të shihet cili do të jetë reagimi i AAK-së, e cila i dha fund gojëdhënës se Rahoveci është bastion i PDK-së me triumf në zgjedhjet e vitit 2017.

I vetmi që rivalizoi pak a shumë Smajl Latifin deri në një pikë sa e çoi në balotazh ishte Visar Korenica nga VV, por ky subjekt politik tash e sa kohë ka ashpërsuar në qendër raportet met Korenicën, i cili refuzoi të votonte kodin civili të homoseksualëve në Kuvendin e Kosovës. Kësisoj, VV ka mbetur me një status quo dhe nuk pritet që të ketë kandidat kredibil për zgjedhje, e as të mbështesë ndonjë kandidat të caktuar, pavarësisht se asamblistët e kësaj partie janë bindshëm opozita e vetme në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

LDK në anën tjetër ka konfirmuar kandidaturën e Burim Krasniqit, i cili para Smajl Latifit dhe Idriz Vehapit nuk ka asnjë gjasë të vetme për të fituar, por fitore e tij mund të konsiderohet statusi i “kingmakerit”, pasi do të ketë çelësin për udhëheqjen e institucioneve me asamblistët dhe votat në terren që pritet t’i drejtojë kah AAK apo PDK, varësisht kush ofron më shumë për të.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.