Editorial: Nuk mjafton as Ilmen Bajra, Rahoveci duhet të nënshkruajë me Mujo Thaçin

KB Rahoveci pas gjashtë vitesh në Superligë po përjeton situatën e parë kritike, apo ndryshe thënë krizën më të thellë në histori të klubit. Për këtë krizë, Rahoveci24 e ka paralajmëruar klubin gjatë verës bashkë me dashamirë të basketbollit në Rahovec, por përkundër të gjitha insistimeve dhe këshillave dashamire, bordi i klubit vendosi që të marrë vendime pasojat e të cilës veç se po shihen, por fundi nuk po i dihet!

Jemi në mes të sezonit dhe nuk ja vlen të ndalemi fare për atë që ka ndodhur, sepse të gjithë e dinë atë që ndodhi dhe situatën në të cilën gjendet klubi.

KB Rahoveci ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Ilmen Bajrën, i cili fillimisht u mendua se nuk do të vazhdojë me klubin, por më pas ndryshoi mendje. Por, qëndrimi i tij nuk mjafton sepse skuadra ka probleme të thella në mentalitet, probleme të cilat kalojnë deri aty sa mungon disiplina dhe respekti ndaj stafit teknik, por edhe klubit.

Stabilizimi fillon duke konsoliduar ekipin me lojtarët aktual në dispozicion, gjë që me Ilmen Bajrën vështirë se mund të ndodhë dhe pritet të shohim një lojë pa koncept e ekip pa mentalitet. Praktikisht nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshjet e kaluara. Ekipi ndoshta do të jetë më i relaksuar dhe mund të fitojë ndeshje, por e ardhmja do të jetë e zymtë kur palestrat veç se do të mbushen gjithnjë e më tepër.

Andaj, qëndrimi i Ilmen Bajrës si kryetrajner nuk do t’i sjellë ndonjë dobi klubit, pos dobisë financiare nga largimi i Takianos i cili pati pagën më të shtrenjtë në histori. Mirëpo, rezultatet nuk pritet që të ndryshojnë e po ashtu lojtarët pritet të largohen në janar, pa potencial për të marrë lojtarë vendorë të nivelit të lartë.

A ka zgjidhje situata?

Rahoveci e ka përpara një mal të madh për t’u ngjitur nëse dëshiron të mendojë për playoff dhe për katër vendet e para. Aktualisht klubi po përjeton startin më të errët në historinë e vet me 4 humbje nga 5 ndeshje në total, e vetmja fitore ndaj një Drite që djemt tanë të U18 nuk do ta bënin hesap 5 here në ditë!

Zgjidhja është emërimi i një trajneri autoritativ me prapavijë ndërkombëtare – e njeriu ideal i cili është pa klub për momentin, është Muhamed Mujo Thaçi.

Ish-basketbollisti prominent i Superligës së Kosovës është rikthyer në Maqedoninë e Veriut dhe po merr pjesë në aktivitete basketbollistike në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Rikthimi i tij vjen pas dy viteve të shkëlqyeshme te Dinamo Tbilisi, ku me një skuadër bindshëm me buxhet më të ulët arriti të zë vendin e tretë në kampionat dhe u shpall TRAJNER I VITIT në këtë shtet.

Në Gjeorgji ai shkoi pas dy viteve të kaluara te klubi izraelit Hapoel Beer Sheva si kryetrajner.

Të dy përvojat ndërkombëtare të Muhamed Mujo Thaçit janë mbi dy vjeçare dhe në të dyja rastet është larguar vet, nuk është shkarkuar nga klubet, çka tregon për seriozitetin e tij në punë.

Rahoveci asnjëherë s’ka pasur ndonjë trajner që ka qëndruar më shumë se dy vjet!

Muhamed Thaçi do të stabilizonte menjëherë ekipin, duke vënë disiplinën në skuadër, e ku do të ndiheshin të barabartë edhe lojtarët më të rinj të Rahovecit në raport me superyje si Fisnik Rugova. Vetëm me të mirët në stërvitje do të luanin.

Ai praktikon lojë me rotacione dhe jo një pesëshe, teksa preferon shumë punën me të rinjt, çka do të ndikonte shumë në performancat e djemve aktual që i ka Rahoveci, pasi yjet vendore si Bardh Rexha dhe Altin Selmancena tashmë janë në klube tjera.

Deri në janar, me Muhamed Thaçin klubi do të arrijë disa fitore dhe do të arrijë që të stabilizojë gjendjen, kurse në janar do të mund të shfrytëzonte lidhjet e tij si trajner për të marrë lojtarë të jashtëzakonshëm vendorë.

Ai ka në menaxhim personal hiç më pak se katër lojtarë që mund të luajnë si vendorë në ligën tonë dhe kjo do të ishte një benefit i madh për ekipin që do të konsolidohej shumë fuqishëm në një luftë potenciale për titull, sepse playoffi me të do të ishte i sigurtë.

Muja e ka vetëm një të keqe – është i drejt dhe i sinqertë, e gjithmonë ka reaguar për padrejtësitë që i janë bërë, e njerëz të tillë nuk i do FBK që dëshiron të ketë gjithçka nën kontroll.

Por, basketbolli i mirë i mposht të gjithë faktorët tjerë jobasketbollistik.

Rahoveci ka biseduar me të gjatë verës, por në fund vendosi të vazhdonte me Fotis Takianos, vendim i cili tash po dihet se si rezultoi. Me Mujon bisedoi edhe Ylli kur ishte kriza me Beciragic. Ai është vazhdimisht nën radarin e skuadrave kosovare dhe Rahoveci duhet ta shfrytëzojë këtë rast.

Teksa shikuesit po kthehen në salla dhe pandemia duket drejt fundit, KB Rahoveci e ka edhe një mundësi të kthejë situatën kah e mbara, çdo vendim tjetër pos një trajneri ndërkombëtar i nivelit të Mujo Thaçit që e njeh edhe basketbollin kosovar do të çonte klubin në një ecje në rreth të vazhdueshem dhe në një krizë pambarim.

(Ky është qëndrim i editorial i redaksisë në bashkëpunim me dashamirë të klubit dhe njohës të basketbollit në Rahovec).

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.