
KB Rahoveci do të pushojë 2 javë për shkak të ndeshjeve të përafqësueses së Kosovës.
Ky pushim dy javor nga rikthimi në Superligë e gjen Rahovecin në krizë të madhe të rezultateve pas disfatës katastrofike nga Ylli në Final 8.
Rahoveci24 merr vesh se bordi i klubit ka mbajtur mbledhje urgjente pas Final 8, të dytën brenda 5 ditësh, pasi një e tillë ndodhi edhe para Final 8.
Në këto takime u cilësua se humbja nga Ylli dhe veçanërisht ajo ndaj Bashkimit janë të vështira për t’u pranuar lehtësisht pasi rosteri i ekipit është mjaft i mirë dhe investimet në lojtarë kanë ndodhur.
Ende nuk ka ndonjë vendim për ndryshimet eventuale qoftë në roster apo edhe në stafin teknik të ekipit, megjithatë, kjo hapësirë dy javore besohet se do t’i shërbejë klubit për të bërë lëvizjet e fundit para vazhdimit të sezonit në Superligë, ku Rahoveci pretendon si gjithmonë titullin e kampionit të Kosovës. /Rahoveci24/