Bartësi i listës i LDK-së, Enis Durguti, shprehet se alternativa e vetme reale e qytetarëve të komunës së Rahovecit është subjekti rugovian i LDK-së, ndryshe çdo variant tjetër sipas tij vetëm sa e mban në pushtet Smajl Latifin dhe AAK-në.
Këto pohime ai i bëri në një intervistë për Rahoveci24 ku ai ka thënë se LDK tashmë ka nisur fushatën, ka një dinamike më të shtuar të punëve dhe prezencës tek qytetarët.
Ai deklaron në mënyrë spektakolare se Smajl Latifi kërkon vetëm VV-në në balotazh për arsye se e mposhtë më lehtë ashtu sikurse herën e kaluar, por se nuk i konvenon një balotazh ndaj Burim Krasniqit dhe LDK-së.
Më poshtë intervista e PA EDITUAR e Enis Durgutit:
Si jeni dhe a ka filluar fushata?
Enis Durguti: Fillimisht shpreh ngushëllime Rahovecit, LDK-së dhe gjithë Ratkocit për vdekjen e Bacës Met, i cili na la me ideale të forta rugoviane. Qoftë i nderuar gjithmonë kujtimi për të. Fushata ka filluar me punë konkrete në terren, duke takuar qytetarë çdo ditë dhe duke prezantuar programin tonë për komunën. Vlen të theksohet se për LDK-në në Rahovec fushata dhe angazhimi nuk kanë nisur vetëm tani, ne kemi punuar vazhdimisht që nga zgjedhjet e vitit 2021. Çdo ditë po rritet besimi te qytetarët se Rahoveci është gati për ndryshim, dhe se vetëm LDK-ja është forca që mund ta sjellë këtë ndryshim.
A ka filluar fushata me krejt dinamikat e saj për LDK-në dhe kur do ta shohim maksimumin e LDK-së dhe Burim Krasniqit?
Enis Durguti: LDK-ja ka nisur fushatën në mënyrë të organizuar, me një qasje të re, më afër qytetarëve, më shumë dëgjim dhe më shumë transparencë. Maksimumi ynë do të shihet në javën e parë të fushatës zyrtare, kur do të prezantojmë vizionin e plotë për katër vitet e ardhshme. Atëherë do të shihet qartë dallimi mes vizionit tonë dhe qeverisjes aktuale, e cila e ka mbajtur të ngulfatur këtë komunë për vite me radhë.
Listë me persona interesantë, sa asamblistë besoni se mund t’i merrni?
Enis Durguti: Këtë vit kemi një listë shumë përfaqësuese, me profesionistë, me njerëz me integritet dhe me të rinj që sjellin energji të re. Është vështirë të veçojmë individë, sepse secili është i përgatitur dhe i motivuar. Të rinjtë dhe të rejat tona janë të vendosur për ndryshim, i cili na pret pas 12 Tetorit. Jam i bindur se kjo listë do të jetë një befasi pozitive për qytetarët. Sa i përket numrit, besojmë fuqishëm se LDK do të dalë forca kryesore në kuvend dhe objektivi ynë është të kemi shumicën e asamblistëve për ta garantuar ndryshimin.
Herën e fundit keni qenë partia kryesore opozitare në kuvend. Me cilin rezultat do të ndaheshit të kënaqur më 12 Tetor në zgjedhjet për kryetar?
Enis Durguti: Synimi ynë nuk është thjesht të jemi të kënaqur, por të fitojmë. Qytetarët e Rahovecit kanë nevojë për një qeverisje serioze dhe të përgjegjshme. Rezultati me të cilin do të ishim të kënaqur është kalimi në balotazh dhe fitimi i besimit të qytetarëve për ta udhëhequr komunën.
Cilën parti e do Smajl Latifi në balotazh, dhe cilën nuk e do sipas jush? A mendoni se do t’ia dilni ta siguroni balotazhin?
Enis Durguti: Kjo është pyetje për Smajlin, jo për mua. Ajo që dihet është se atij gjithmonë i ka konvenuar të ketë VV-në në balotazh, sepse e di se aty e ka më të lehtë ta përmbys, ashtu si herën e kaluar. Por, qytetarët e Rahovecit duhet të mendojnë për dy gjëra, kë ta dërgojnë në balotazh dhe a ka ajo parti fuqi reale për ta fituar balotazhin. Përgjigja është e qartë, LDK-ja është alternativa e vetme e besueshme. Qytetarët nuk janë të kënaqur me këtë qeverisje dhe këtë do ta dëshmojnë më 12 Tetor. LDK do të jetë në balotazh dhe do ta udhëheqë Rahovecin drejt ndryshimit që i duhet.


