Drejtoria e bujqësisë ofron ndihmë për aplikimin për grante nga ministria

Njoftimi i drejtorisë së bujqësisë:

Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, KK Rahovec, njofton të gjithë fermerët se:

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, se nga 25.02.2016 ka hapur periudhën për aplikim për disa masa mbështetëse përmes granteve investive për fermerët në gjithë territorin e Kosovës. Thirrjet për aplikim janë hapur për masën 101, përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në sektorin e qumështit, pemëve, serrave, të mishit, si dhe atë të vezëve, për masën 302, përmes së cilës përkrahen investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore.

Gjatë periudhës për aplikim, e cila zgjatë mbi 40 ditë që nga dita e hapjes, fermerët dhe agrobizneset mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të këtyre masave, duke u bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program dhe që janë publike në faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Buxheti për programin për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe programin për pagesa direkte sivjet arrin në 46 milionë euro, ku 23 milionë janë planifikuar të ndahen për grante investive dhe 23 milionë janë planifikuar të ndahen për pagesa direkte. Në krahasim me vitin e kaluar buxheti këtë vit është më i madh për 3 milionë Euro.

Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, KK Rahovec informon fermerët e interesuar për aplikim se stafi dhe menaxhmenti i drejtorisë janë të gatshëm dhe të hapur për asistencë dhe këshillime profesionale në mënyrë që aplikimi i tyre të bëhet sa më i lehtë dhe pa gabime eventuale.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.