Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në komunën e Rahovecit, Avni Morina ka pritur sot në takim në zyrën e tij, zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Miftar Nika, me bashkëpunëtorë.
Gjatë këtij takimi janë hapur “letrat” e projekteve të parapara dhe tashmë të bëra gati për Investime në Efiçiencë të Energjisë për 4 shkolla të komunës sonë: Shfmu “Vëllezërit Frashëri” në Drenoc, Shfmu “Nesimi Elshani” në Nagac, Shfmu “Milaim Krasniqi” në Pastasellë si dhe Shfmu “Rilindja” në Çifllak. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtorët e këtyre 4 shkollave, këto projekte do të fillojnë të zbatohen gjatë viteve 2019-2020.
Në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të Efiçiencës së Energjisë” përfshin kryerjen e këtyre punëve: Instalimi i ngrohjes qendrore për shkollat, Ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme të shkollave, Hidroizolimi dhe termoizolimi i objekteve shkollore dhe Ndërrimi i llambave klasike për ndriçimin e brendshëm dhe të jashtëm të objekteve shkollore dhe zëvendësimi i tyre me llamba LED.
Drejtori Morina, i ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen që janë duke ju ofruar.
“Zyrtarëve të Ministrisë ju premtuam se ne si Drejtori e Arsimit dhe drejtorët e shkollave do të jemi përherë të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë deri në finalizimin e plotë të këtyre projekteve shumë të vlefshme për shkollat tona. Urime nxënësve dhe arsimtarëve të këtyre shkollave”, ka thënë ndër të tjera drejtori Morina.