Pas një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor, Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, duke shpallur të pafajshëm Bejtullah Deliun dhe vëllain e tij, Hazer Deliun, të cilët për vite me radhë kanë qenë të ekspozuar ndaj akuzave për falsifikim të parave — një vepër që tashmë është vërtetuar se nuk ka pasur asnjë bazë ligjore apo faktike.
Bejtullah Deliu, i cili në të kaluarën ka marrë pjesë në zgjedhje qendrore dhe lokale si figurë publike, u shpreh se akuzat e pabazuara kanë shkaktuar dhimbje, zhgënjim dhe ndikim të gjerë në familjen dhe komunitetin e tij.
Ai theksoi se pretendimi se ai dhe vëllai i tij kanë qenë pjesë e “grupimit të dëmshëm të shoqërisë” u rrëzua plotësisht, fillimisht nga Themelorja dhe tani edhe nga Apeli.
“Drejtësia foli. Nuk ka pasur asnjë bazë për këtë akuzë. U vërtetua qartë se as unë, as Hazer Deliu, nuk kemi pasur lidhje me veprën që na ngarkuan,” – deklaroi Bejtullahu.
Ai tregoi se ngjarjet e tij të vështira nisën pas vitit 2014, kur kishte raportuar një rast të ngacmimit seksual brenda Postës së Kosovës, duke sjellë pasoja të rënda profesionale dhe njerëzore, përfshirë presione, komisione disiplinore të pajustifikuara dhe veprime që ai i konsideron të orkestruara nga zyrtarë të caktuar të Inspektoratit.
Me vendimin përfundimtar të Apelit, Bejtullah Deliu paralajmëroi se tashmë do të nisë procedurat ligjore kundër të gjithë atyre që, sipas tij, kanë abuzuar me detyrën zyrtare, përfshirë edhe personat që kanë dhënë deklarata të dyfishta ose kanë ndërhyrë në proceset inspektuese.
Në fund, ai i falënderoi të gjithë miqtë, kolegët dhe qytetarët që e mbështetën gjatë kësaj periudhe të vështirë:
“Ju falënderoj nga zemra për besimin dhe përkrahjen. Së shpejti do të jem përsëri në shërbim të qytetarëve – i pastër, i drejtë dhe me kokën lart.”


