Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Driton Fetahu nga Prizreni, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me B.H. nga komuna e Rahoveci.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën ndaj dy të dyshuarve, të cilët priten që me 9 tetor të dalin para gjykatës së Gjakovës.
Në shtatë faqe aktakuzë të ngritur nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Driton Fetahungarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit, ngarkohen që të dy në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër B.H. i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karriga në vlerë prej 360 eurove.
Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 B.H. , nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 500 euro të tjera, të cilat para ishin dhënë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si simulim me qëllim të zbatimit të masave të fshehta.
Aktakuza shpjegon se përmes kamerave në këtë punëtori është arritur që në flagrancë të zihet i pandehuri Driton Fetahu, dhe i njëjti ishte arrestuar nga ana e Policisë.
Arrestimi në flagrancë ishte bërë pas një urdhërese nga gjykata e Gjakovës, për vendosjen e kamerave të sigurisë në punëtorinë e të dëmtuarit Aliriza Hasku.
Bashkë me Driton Fetahu, ishte arrestuar edhe kontabilisti B.H. i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt