Dosja e OKB në Krushë/ Rrëfimet e të mbijetuarve: Serbët vranë 110 burra në stallë dhe më pas i vunë flakën. Mbetjet kockore i hodhën në lumin Drin

Një ditë më parë u publikuan pjesë të dosjes së OKB për krimet serbe në Bellacërkë të Rahovecit. Sot do të pasqyrohen masakrat e 25-26 marsit në Krushë të Vogël, ku popullsia serbe iu bashkua ushtrisë për të vrarë njerëz të pafajshëm, përfshi edhe fëmijë.

Më 25 mars 1999 fshati Krushë e Vogël u zgjua nga zhurma e “tankeve ushtarake,” autoblindave, pragave dhe artilerisë së rëndë. Atë ditë të gjithë shqiptarët ikën drejt pyjeve në mal. Kur filloi të agonte, tanket hapën zjarr në drejtim të malit.

640x74

Forca të përziera ushtarake dhe paraushtarake hapën zjarr me artileri të rëndë mbi kokat e fshatarëve në drejtim të pyllit. Kjo zgjati rreth një orë dhe më pas ata filluan të digjnin fshatin. Serbët e fshatit ndihmuan në djegien e shtëpive. Vendasit prinin duke treguar se cilat shtëpi ishin të shqiptarëve kosovarë. Ata gjithashtu morën pjesë në vrasjet në fshat.

Shumica e fshatarëve, gjithsej rreth 500 a më shumë, u mblodhën në pyll. Ndërsa ishte i fshehur, Lutfi Ramadani dëgjoi krisma armësh. Rreth orës 19:00, kur u bë ftohtë, Ramadani dhe fshatarët e tjerë, me përjashtim të dy familjeve të cilët mbetën aty, shkuan në shtëpinë e Sejdi Batushës në fshat, ku kaluan natën. Kur agoi ikën sërish në mal dhe në mëngjesin e 26 marsit një grup prej rreth 15 policësh shkuan në vendin ku ishin fshehur fshatarët .

Gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat e djemtë e vegjël dhe u urdhëruan të shkonin në Shqipëri. Afërsisht 110 burra dhe djem. Më tej serbët e çuan grupin e meshkujve deri në stallën e një fshatari shqiptar të quajtur “Haxhi Batusha” e cila gjendej midis fshatit dhe pyllit.

Stalla kishte dy kthina dhe një korridor dhe ishte e pabanuar e pa orendi. Rreth orës 11:00, grupin e burrave e futën në dy kthina të vogla të stallës. Pastaj policët hapën zjarr mbi burrat pa kurrfarë paralajmërimi. Ramadan Krasniqi ra në tokë menjëherë dhe u mbulua nga trupat. Plumbat erdhën nga dritaret dhe vazhduan për shumë minuta. Lutfi Ramadani tha se më pas hyri një polic me pushkë dhe i vrau të gjithë ata që ngritën kokën.

Pas ndërprerjes së të shtënave, serbët hodhën sanë mbi kufomat dhe iu vunë zjarrin. Krasniqi ishte ende në fund të grumbullit të njerëzve të vdekur dhe të plagosur. Ai i shtyu trupat dhe u ngrit në këmbë. Arriti të ikte, duke kërcyer nga një dritare anësore dhe vrapoi drejt shtëpisë së xhaxhait që ishte ngjitur dhe u fsheh në bodrum.

Ramadani nuk u godit asnjëherë gjatë të shtënave, por u dogj në anën e djathtë të trupit dhe të kokës. Arriti të ikte përmes derës së hyrjes së bashku me dy burra të tjerë.

Midis të vrarëve ishin dy djemtë e Ramadanit, vëllai i dhe nipi. Ramadani, i fshehur në bodrumin e një banese pa dy civilë serbë pa uniforma duke vënë kashtë të thatë mbi kufomat për ta shtuar zjarrin në stallë.

Më pas Krasniqi u tërhoq në pyll, ku qëndroi afërsisht deri në mesnatë duke parë stallën në të cilën ishin vrarë burrat. Mbajtja gjallë e zjarrit vazhdoi deri në mesnatë. Ai qëndroi dy ditë në pyll, pasi prej aty ishte në gjendje të shikonte çfarë po ndodhte në fshat. Fshati vazhdoi të digjej për disa ditë me radhë. Krasniqi së bashku me katër vetë qëndroi pesë javë të tjera në “Bjeshkët e Hasit.”Para se të largohej për në Shqipëri shkoi në fshatin Nagafc ku iu dha ndihmë mjekësore.

Kthimi i Ramdanit dhe Krasiqit në Krushë të Vogël

Ramadani u kthye në Krushë të Vogël rreth datës 15 qershor 1999 dhe pa se të gjitha shtëpitë e shqiptarëve kosovarë ishin djegur, kurse shtëpitë e serbëve dhe romëve ishin në gjendje të mirë. Ai shkoi në stallën e Batushës dhe pa se ishte hedhur në erë dhe ishte rrafshuar me buldozer, gjeti këpucë të djegura, mëngë dhe copa rrobash.

Gjithashtu Ramadani dëshmoi se 8 anëtarë të familjes së Sali Shehut qëndruan në shtëpi sepse askush nuk do i trazonte, por më 25 mars 1999 u dogjën të gjallë nga serbët. Ramadani dëshmoi se kishte gjetur skeletet e tyre të djegura, që i varrosën.

Kur u kthye në shtëpi më 26 qershor 1999, Krasniqi shkoi në stallë së bashku me njerëz të tjerë nga fshati. Ata gjetën pjesë të një kafke, pjesë brinjësh dhe këmbësh si dhe këpucë. Sipas Krasniqit, “serbët e fshatit” përgjegjës për masakrën e kishin pastruar vendin dhe i kishin hedhur mbetjet në lumin Drin.

Paul Sweeney, gazetar hulumtues, bëri dy dokumentarë në lidhje me ngjarjet në Krushë të Vogël. Sweeney takoi mbijetuesit e vrasjeve në stallë; Mehmet Krasniqin, Lutfi Ramadanin, Bajram Zylfiun, dhe Qamil Shehun, dhe tha se të gjithë i dhanë rrëfime shumë të ngjashme në lidhje me incidentin.

Ngatërrimi i dosjeve

Fatkeqësisht Dhoma Gjyqësore nuk ka marrë nga Dr. Eric Baccard prova kriminalistike në lidhje me vrasjet në Krushë të Vogël. Gjatë fazës së pyetjeve të Mbrojtjes për Eric Baccard-in, doli se provat kriminalistike në të cilat ishte bazuar akt-ekspertiza e tij kishin të bënin me Krushën e Madhe, të cilat i ishin dhënë gabimisht si prova të Krushës së Vogël.

Si pasojë të dhënat në akt-ekspertizën e tij kriminalistike për Krushën e Vogël faktikisht janë të bazuara në të dhënat që kanë lidhje me Krushën e Madhe. Rrjedhimisht Dhoma nuk është në gjendje të mbështetet në këtë raport në lidhje me vrasjet në Krushën e Vogël.

Dhoma gjithashtu pranoi disa raporte dhe fotografi nga policia e Mbretërisë së Bashkuar. Këto dokumente janë një sërë raporteve të veçanta për zhvarrosjet e ndërmarra në Krushë të Vogël në vende të ndryshme. Sidoqoftë, raportet nuk identifikojnë asnjë nga viktimat e stallës, por përmendin fragmente eshtrash dhe materiali tjetër të gjetur në vende të ndryshme përgjatë lumit Drin dhe në afërsi të tij.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.