Ekipet e Kosovës në 3×3 janë të gatshme për turneun kualifikues në FIBA Europe Cup. Ekipet e Kosovës do të garojnë të dielën.Tek meshkujt Kosova është pjesë e Grupit D, së bashku me Hungarinë, Ukrainën dhe Britaninë e Madhe.
Kosovën te meshkujt do ta përfaqësojnë Bardh Rexha, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena. Dy skuadrat e para të çdo grupi do të kualifikohen tutje.Kosova ndeshjen e parë do ta ketë ndaj Hungarisë, të dielën nga ora 10:25, sfidën e dytë ndaj Britanisë së Madhe nga ora 12:55 dhe përballjen e tretë ndaj Ukrainës nga ora 17:40.
Tek femrat, Kosova në Grupin D do të takohet me Bjellorusinë dhe Estoninë. Kjo është hera e parë që Kosova do të garojë në konkurrencën e femrave në këtë garë ndërkombëtare. Kosovën do ta përfaqësojnë Arbnore Përquku, Saranda Daci, Diedona Halitaj dhe Marigona Rushiti.
Ndeshjen e parë vashat tona do ta kenë ndaj Bjellorusisë nga ora 11:15 dhe takimin e dytë ndaj Estonisë nga ora 13:45.
Ekipet kombëtare të Kosovës do të udhëtojnë në Rumani më 26 qershor, sipas protokollit të përcaktuar nga FIBA dhe masave anti-COVID-19 në fuqi.