Në kuadër të projektit të punësimit të Qendrës Rinore SHL-Kosova në Rahovec, u mbajt debat me Driton Selmanajn, hulumtues në KDI, me temë, “Sfidat dhe vështirësitë e punësimit të të rinjve”.
Në debat ishte i pranishëm edhe Gardalin Shtavica, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe aktivistë të shoqërisë civile në Rahovec. Ndër të tjera menaxherja e projektit të punësimit në SHL-Kosova, Vjollca Selimi-Gurgule, informoi se në këtë Qendër organizohen kurse, trajnime dhe aktivitete të shumta që lidhen me të rinjtë, prandaj edhe në funksion të përfshirjes sa më të madhe të tyre në jetën publike dhe në biznes, kemi ftuar analistin e KDI-së z. Selmanaj. Me këtë dëshirojmë që të japim shembull konkret të angazhimit të të rinjve duke shfrytëzuar mundësitë që jep projekti ynë për punësim, shtoi Selimi-Gurgule.
Fillimisht drejtori për Kulturë Gardalin Shtavica, ftoi të rinjtë që të ofrojnë projekte konkrete, ide dhe nisma që do të ndikonin në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën institucionale dhe publike.
Driton Selmanaj tha se aktualisht në Kosovë llogariten të jenë të papunë rreth 50 për qind e të rinjve, me diplomë universiteti apo pa diplomë, mirëpo mundësitë që ofron sistemi ynë aktual nuk jep shumë shpresë për një përfshirje të shpejtë të këtyre të rinjve në biznes. Mirëpo, të rinjtë duhet të fillojnë të mendojnë pak përtej kufijve të Kosovës, sepse me nënshkrimin e MSA-së do të ketë mundësi më të mëdha. Prandaj, duhet të fillojmë të mendojmë për hyrje në tregun e madh evropian, gjë që kërkon më shumë dije, më shumë angazhim dhe më shumë vullnet. Deri më tani janë hartuar shumë strategji e programe për të rinjtë, por fatkeqësisht nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Duke parë mundësitë që ofron kjo qendër rinore dhe shkollat e ndryshme profesionale, ftoj të rinjtë e Rahovecit që njihen si punëtorë dhe të vyeshëm, që të bëhen pjesë e një tregu më të madh global dhe jo të kufizohen vetëm në atë që ofron kjo komunë ose edhe vetë Kosova. Ne duhet të zgjerojmë kufirin e të menduarit tonë lokal dhe të përgatitemi për një konkurrencë më të fortë në Evropë, SHBA apo edhe në vendet tjera më të mëdha, shtoi ndër të tjera Selmanj.
Të rinjtë pjesëmarrës në debat janë ankuar për mungesën e hapësirës rinore, mungesën e planeve dhe projekteve gjithëpërfshirëse, si dhe nevojën e hapjes së shoqërisë për debat konstruktiv dhe të dobishëm.
Qendra rinore, në bashkëpunim me DKRS, sektorin e Rinisë, planifikojnë intensifikim të debateve dhe kontakteve me të rinjtë e Rahovecit, në përpjekje për krijimin e sa më shumë hapësirave për të rinjtë e kësaj komune.