Çmimet e banesave në Rahovec po vazhdojnë të mbesin ndër më të lartat në vend, duke lëvizur në intervalin prej 800 deri në 1,000 euro për metër katror, sipas të dhënave nga përfaqësuesit e tregut lokal.
Sipas Haris Mullabazit, themelues i kompanisë së patundshmërive nga HB Real Estate, disa faktorë kyç po ndikojnë në këtë rritje të ndjeshme të çmimeve:
“Çmimi është i lartë për shkak të rritjes së kostos së materialeve të ndërtimit, por njëkohësisht ndikon edhe mungesa e banesave dhe e ndërtuesve aktivë në qytet. Për më tepër, kufizimi ligjor për lartësinë e objekteve – që lejon deri në 5 kate plus 1 – e bën ndërtimin më të kufizuar dhe automatikisht më të shtrenjtë për metër katror,” tha ai.
Në krahasim me zona të tjera si Fushë Kosova, Rahoveci ka një mungesë konkurruese në tregun e ndërtimit, gjë që reflekton në çmime më të larta se mesatarja kombëtare.
Sipas Mullabazit, aktualisht çmimi mesatar për një banesë në Rahovec sillet rreth 900 euro për metër katror, ndërkohë që kërkesa vazhdon të rritet, veçanërisht për objekte cilësore dhe me lokacion të favorshëm.


