LDK Dega në Rahovec me anë të një reagimi të ashpër të bërë nga kryetari i saj, Burim Krasniqi, ka cilësuar si shqetësues faktin se fusha e stadiumit “Jahja Danuza” është ndaluar për zhvillimin e ndeshjeve.
Krasniqi, i cili është edhe kryesues i asamblistëve të LDK-së në opozitë në Kuvendin Komunal, ka drejtuar edhe një apel për Qeverinë dhe Komunën në mënyrë që KF Rahoveci të ri-mundësohet zhvillimi i ndeshjeve në Rahovec.
Reagimi i plotë i Krasniqit:
REAGIM
LDK dega në Rahovec me shqetësim mori lajmin mbi vendimin e FFK-së për ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadionin “Jahja Danuza” në Rahovec.
Për këtë në emër të grupit të asambleistëve të LDK-së i kam kërkuar Kryesuesit të kuvendit dhe anëtarëve të KPF që të thirret një seancë e veçant ku delegatët e kuvendit do të luanin rolin e tyre zyrtar në kthimin e të drejtës për zhvillimin e ndeshjeve në stadionin “Jahja Danuza”.
Njëherit apelojmë:
1. Kryetarit të Komunës të Rahovecit që punimet në shesh të mos prekin stadionin “Jahja Danuza” dhe te intervenohet në përmisimin e fushës, ashtu që stadioni të jetë funksional deri në ndërtimin e stadionit të ri, duke u shkuar punëve me radhë.
2. Qeverisë së Republikës të Kosovës, që ta kthej në buxhetin e vitit 2023 kodin për ndërtimin e stadionit dhe të bashkëpunohet me Komunën e Rahovecit në gjetjen e një lokacioni sa më të përshtatshëm, të pranueshëm për sportistët dhe sportdashësit.
LDK dega në Rahovec i është drejtuar me kërkesë edhe grupit të deputetëve të LDK-së që në seancën kur do të votohet ligji për buxhetin e vitit 2023 të insistohet ndër të tjera, të kthehet edhe kodi për stadionin e qytetit të Rahovecit.
I Juaji,
Burim Krasniqi