Bylbyl Sokoli trajner i ri i Prishtinës, bashkohet me Meriton Korenicën te klubi më i trofeshëm kosovar

Pas shkarkimit të Mirel Josës nga pozita e kryetrajnerit të KF Prishtinës, është arritur marrëveshja për trajnerin e ri. Ai do të jetë Bylbyl Sokoli.

Sokoli është një trajner 60 vjeçar nga Rahoveci që ka trajnuar shumë ekipe kosovare, përfshirë KEK-un, Ferizajin, Llapin, Vëllaznimin etj. Sokoli po ashtu ishte kryetrajner i kombëtares së Kosovës në periudhën e para-pranimit në UEFA e FIFA.

Në tetor të vitit të kaluar, pas një ndeshjeje me shumë tensione mes Prishtinës dhe Llapit në kryeqytet, trajneri i asokohshëm i Llapit ishte sulmuar. Të gjithë bënë me gishta nga tifogrupi kryeqytetas Plisat. Këta të fundit, duke dashur të shmangnin burgun, e mohuan përfshirjen në incident.

Megjithatë, faktet qëndrojnë. Sokoli u ther me thikë dhe u rrah afër banesës së tij në Prishtinë menjëherë pas ndeshjes Prishtina-Llapi. Veç kësaj, gjatë kohës sa Sokoli e drejtonte herën e fundit Prishtinën, kemi pasur sherre tjera mes palëve.

Plisat i kishin kërkuar haptas largimin nga klubi. ‘Bylbyl Sokoli ik prej Prishtinës’ – ishte thirrja e bërë nga Plisat, shkruan Periskopi. Shpesh herë, anëtarët e kësaj tifozërie në shenjë përçmuese ii shin drejtuar atij si Bilbil në vend të Bylbyl siç është emri i vërtetë.

Veç kësaj, pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur Sokoli me portierin e dikurshëm të Prishtinës, Kushtrim Mushicën, tifozëria në fjalë e kishte kërcënuar ashiqare.

“Bilbil sokoli le te din qe osht ka e nguc nje djal te Prishtines edhe i kemi kallzu njhere, na mo nuk flasim veqveprojm” – kishte shkruar kreu i Plisave, Albert Kastrati.

Se a do të kthehet kjo marrëdhënie urrejtëse – e mbushur me sharje, kërcënime, tallje e ndoshta edhe gjak – në rezultate të suksesshme për Prishtinën, mbetet të shihet.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.