Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Burim Krasniqi, ka bërë publike një nga pikat kryesore të programit të tij për bujqësinë: deri në 100 euro mbështetje për çdo hektar vreshti. Ky premtim synon t’i ndihmojë drejtpërdrejt fermerët dhe kultivuesit e hardhisë në rajonin e Rahovecit, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke nxitur prodhimin cilësor.
Por programi i Krasniqit për bujqësinë shkon edhe përtej subvencioneve direkte. Ai ka paralajmëruar një investim mbi 2 milionë euro në bujqësi dhe blegtori, duke e konsideruar këtë sektor si shtyllë të zhvillimit ekonomik të komunës.
Ndër pikat tjera programore të prezantuara janë:
- Laborator për analiza të tokës, i cili do t’i ndihmojë fermerët të kenë të dhëna shkencore për rritjen më të mirë të prodhimeve.
- Shërbim veterinar të siguruar për blegtorët, për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.
- Mbështetje për bartjen e pronësisë brenda familjes, ku do të përfshihet financimi i shpenzimeve që shpesh rëndojnë mbi familjet bujqësore.
- Paisje për bujqësi intensive dhe moderne, duke i dhënë mundësi fermerëve të kalojnë nga mjetet tradicionale në teknologji të avancuar që rrisin rendimentin dhe kursimin e kohës.
Burim Krasniqi u shpreh se Rahoveci ka potencialin që të bëhet model i bujqësisë së zhvilluar në Kosovë dhe se me këto masa do të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm për vreshtarët dhe blegtorët e komunës.


