A do të dalë tym i zi apo tym i bardhë nga selia e PDK-së në Rahovec? Se kush do ta rivalizojë Smajl Latifin dhe Burim Krasniqin në garën për kryetar do të merret vesh brenda pak ditësh, mësojnë burimet e portalit Rahoveci24.
Informacione ekskluzive kanë arritur në redaksinë tonë që flasin për përparim në vendim për kandidatin final.
Teksa për kandidaturë nuk është vendosur definitivisht, janë dy emra ata që janë në diskutim: Idriz Vehapi dhe Edon Cana.
I pari ishte afër të zgjidhej deputet, kurse për kandidaturë të tij ka “një mal” me kushte, të cilat sipas tij, janë esenciale për ta rrëzuar nga pushteti Smajl Latifin.
Edon Cana në anën tjetër është i bindur se është i gatshëm për të kandiduar dhe aktualisht udhëheqë me degën, me seksione vitale të subjektit.
Rahoveci24 mëson se do të ketë befasi absolute edhe për bartësin e listës, ku do të jetë një emër i ri elektoral që garon për PDK, por që ka kontribut prej dy dekadash në këtë subjekt në Rahovec.
Mbetet të shihet cila do të jetë komunikata zyrtare nga PDK në Rahovec dhe kush do të jetë emri që e presin të gjithë.


