Biznesmenët e Rahovecit nuk shfrytëzojnë nenin që mundëson që tatimin në fitim ta investojnë në sport

Biznesmenët e Komunës së Rahovecit shquhen si ndërmarrës të mëdhenj ndër vite, duke i qëndruar besnik traditave, por edhe duke kontribuar në punësim e shumë sfera të tjera.

Mirëpo, ndërmarrjet e mëdha të Rahovecit, nuk janë dashamirë të sportit – ose së paku kohëve të fundit nuk janë.

Përkundër faktit se gjithmonë kanë qenë kontributdhënëse me sponsorime të ndryshme, me evoluimin e sportit, kemi shembullin e Suharekës, se çka mund të bëjnë dy biznese në dy klube për qytetin e tyre.

Golden Eagle në basketboll dhe CIMA Construction në futboll kanë vënë gjithë potencialin e tyre edhe përtej tatimit në fitim për të shndërruar Suharekën në një qytet kampion.

Një rrugëtim të tillë vështirë se mund ta shohim në Rahovec. Deri tash kompania ma serioze që ka investuar në sport është OSA Termosistem. Por, kjo kompani kontribuon në dy klube duke qenë sponsor kryesor edhe në basketboll dhe në futboll.

Dashuria për qytetin dhe sportin e Rahovecit për udhëheqësit e kësaj kompanie nuk ja vlen as të vihet në dyshim, vit pas viti, edhe atëherë kur të tjera ndërmarrje refuzojnë, OSA Termosistem vazhdon të mbajë gjallë sportin e Rahovecit.

Por, deri sa do të ketë durim kjo kompani ndër të paktat që kanë sponsoruar klubet e qytetit?

Kjo është në pikëpyetje, pasi bizneset e Rahovecit nuk po shfrytëzojnë ligjin për sponsorizim, i cili mundëson që 30% të tatimit në fitim ta kthejnë në vlerë të sponsorizimit për klubet sportive.

Këtë shumë biznesmenët e Rahovecit po e derdhin në arkat e shtetit, gjë që nuk është negative, mirëpo kur shteti mundëson një mekanizëm të tillë, është vërtet keq të mbeten në mëshirën e fatit klubet ku të rinjt rahovecas largohen nga rruga dhe merren me aktivitete sportive.

Mbetet të shihet nëse do të ngritet vetdija sportive e biznesmenëve të Rahovecit për ta shndërruar edhe një herë Rahovecin në fortesën e pathyeshme sportive dhe duke mbajtur gjallë qytetin me aktivitetin e vetëm atraktiv që ka mbetur, pasi Rahoveci mbeti komuna më e pazhvilluar në Kosovë.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.