Portieri i KF Rahovecit, Besnik Shehu, është shprehur shumë i motivuar para duelit të parë të stinorit pranveror që ekipi jonë zhvillon ndaj Kosovës së Prishtinës në udhëtim.
Të dielën në ora 13:00 do të përballet KF Rahoveci dhe Kosova e Prishtinës, kurse Besnik Shehu për Rahoveci24 tregon për punën që është bërë dhe si mund të arrihet mbijetesa.
Ai thotë se është kthyer nga Austria vetëm e vetëm për të ndihmuar klubin e qytetit që të shpëtojë nga rënia prej Ligës së Parë.
“Jemi përgatitur maksimalisht për duelin e parë të stinorit pranveror. Kemi bërë punë të mirë si grup. Jemi shumë të motivuar për startin e stinorit pranveror dhe duam patjetër të nxjerrim një rezultat pozitiv. Do të japim maksimumin”.
“Është e vërtetë se jam kthyer nga Austria vetëm e vetëm që të ndihmoj qytetin tim dhe klubin e qytetit tim që të mos bie nga Liga e Parë dhe që të mbijetojmë. Për të ardhmen nuk e di, por synimi i parë dhe kryesor është të shpëtojmë Rahovecin nga rënia prej kampionatit, por për këtë më duhet ndihma e të gjithë bashklojtarëve, duhet të luajmë si ekip për të gëzuar tifozët tanë që janë më të mirë në botë, sidomos tifozët e vjetër që ka me dekada që përcjellin ndeshjet tona, andaj duhet patjetër që të japim maksimumin që të arrijmë qëllimin”.
“Mbijetesa duhet të jetë qëllim i të gjithëve. Edhe i atyre të rinjve që shkojnë në shkollë. Edhe i punëtorëve të krahut, i zyrtarëve të lartë të shtetit. I të gijtha shtresave. Vetëm me ndihmën e të gjithëve, qytetarëve të Rahovecit, e sidomos Ultras Vreshtarëve, ne mund të shpëtojmë Rahovecin prej rënies nga Liga e Parë dhe do Zoti këtë do ta arrijmë dhe kurrë më të mos e shohim klubin tonë në këtë pozitë tabelare”, deklaroi Shehu për Rahoveci24.