Qendra e KB Rahovecit, Besnik Sharku, ka falënderuar të gjithë tifozët që krejt sezonin kanë shpenzuar me veturat e tyre private për të ndjekur ekipin e zemrës, teksa u ka bërë thirrje të gjithëve që të jenë prezent sonte në Suharekë, ku ai thotë se vetëm bashk mund të arrihet suksesi i arritjes në Superligë, që do ishte burim krenarie për mbarë qytetin.
KB Rahoveci përballet me Dritën sonte në duelin e madh të finales së playoffit në Ligën e Parë, që pritet shumë nga fansat e basketbollit kosovar.
Një prej më të mirëve të këtij sezoni në Ligën e Parë, Besnik Sharku shprehet mjaft i përqëndruar për sfidën, teksa thotë se vetëm me përkrahje të tifozëve mund të arrihet këtu.
Keni pasur punë të lehtë ndaj Kastriotit, ndërkohë që trajneri ju ka dhënë shumë minuta të gjithë lojtarëve kryesorë. Me vetëm një stërvitje, do të hyni në finalen e playoffit, sa të përgatitur ndiheni?
Sharku: Nuk mendoj se ndihemi të lodhur. Në fakt ne jemi shumë të përgatitur dhe kemi hyrë në rritëm dhe kjo na ka ndihmuar. Ky besoj se ka qenë edhe qëllimi i trajnerit. Kemi gjetur ritmin dhe besoj se do të kalojmë në formën e madhe pikërisht për ndeshjet ndaj Dritës, ku fuqishëm besoj se do të shfaqim lojë të mirë dhe do të dalim fitues. Sidomos këtë shpresoj ta bëjmë në ndeshjen e parë ku do të kemi përkrahjen e tifozëve tanë në Suharekë, edhe pse në mungesë të palestrës tonë. Jemi të përkushtuar shumë dhe të fokusuar drejt objektivit tonë, Superligës.
Drita ka kthyer tri lojtarë në përbërje andaj do të ketë qasje krejt tjetër për dallim nga ndeshjet në sezonë ku ju keni fituar bindshëm. SA mendoni se do të jetë i vështirë dueli?
Dueli pritet të jetë mjaft i vështirë. Ne jemi të përgatitur për Dritën ashtu sikurse për secilin ekip tjetër. Por, kjo është finale, andaj angazhimi do të jetë maksimal nga të gjithë ne. Trajneri po bën punën e tij dhe ekipi do të zbatojë urdhërat e tij në përpikmëri. Kam respekt të madh për Dritën, është një ekip kompakt, me një lojë mjaft të mirë, por ne i kemi mposhtur dy herë gjatë sezonit të rregullt, kemi rekordin dhe kështu nuk kemi asnjë arsye pse të s’prapsemi. Në finale nuk ka favorit, por ne kemi përparësinë e terrenit vendas dhe këtu shpresoj shumë që tifozët do të na ndihmojnë për të vulosur Superligën ndaj një ekipi majft të fortë siç është Drita.
20-0 nuk është asgjë, pa Superligë! Sa pajtohesh me këtë moto?
Pajtohem plotësisht me këtë moto. Rekordi është i mirë, për klubin, për tifozët, për qytetarët. Por, objektivi jonë kryesor është Superliga. Dhe krahas rekordit edhe Superliga duhet të realizohet. Njëra pa tjetrën nuk kanë kuptim.
Cila është porosia për tifozët dhe qyetarët e Rahovecit?
Dua t’i falënderoj nga zemra për përkrahjen e tyre të pandalshme gjatë gjithë sezonit. Ata kanë shpenzuar individualisht nga xhepi i tyre për të bërë rrugë dhe për të shikuar ndeshjet e KB Rahovecit si në Suharekë ashtu dhe në qytete tjera në mungesë të palestrës tonë.
Por, tash është përkrahja më e nevojshme se kurrë. Ata janë lojtari jonë i “gjashtë” në fushë dhe përkrahja e tyre na motivon shumë drejt objektivave tanë. Pa tifozët tanë do të jetë e vështirë, pa qytetarët do të jetë e vështirë, andaj i bëj thirrje që të gjithë masovikisht t’i japim shtytje të fundit. Të gjithë jemi një për këtë vend, jemi të unifikuar, suksesi do të jetë i të gjithëve, vendi jonë dhe klubi jonë janë mbi të gjitha dhe të gjitha janë suksese të impenjimeve të përbashkëta tona.