Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Rahovec ka reaguar ndaj një veprimi të fundit të kryetarit të komunës, Smajl Latifi, duke e akuzuar atë për “shkarkim politik dhe hakmarrje personale” vetëm pak ditë para balotazhit të 9 nëntorit.
Sipas reagimit të PDK-së, drejtori i shkollës “Heronjtë e Kosovës” në Hoqë të Vogël, z. Ramadan Krasniqi, është shkarkuar padrejtësisht nga pozita e tij për arsye politike.
Në reagim, ai përshkruhet si një profesionist i respektuar dhe edukator i përkushtuar, i cili është “ndëshkuar vetëm pse nuk ka pranuar të marrë pjesë në tubimet elektorale të Smajl Latifit.”
“Të shkarkosh një drejtor shkolle për arsye politike është turp dhe dëm i madh për arsimin. Kjo tregon se arsimi vazhdon të trajtohet si pronë partie, e jo e qytetarëve,” – thuhet ndër të tjera në reagimin e PDK-së Rahovec.
Në komunikatë, PDK e cilëson këtë veprim si shembull të “mentalitetit të vjetër të pushtetit që kërkon nënshtrim në vend të punës dhe meritës profesionale.”
Deri më tani, kryetari Smajl Latifi apo Komuna e Rahovecit nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza.


