Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Rahovecit – Avni Morina, po dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare disa herë, ndërsa për këtë arsye është kërkuar edhe shkarkimi i tij, transmeton Kosova post.
Një dokument i siguruar nga Agjencia e Lajmeve Kosova Post, është një tjetër dëshmi për këtë.
Drejtori Avni Morina, ka lejuar që në prani të tij të nënshkruhet edhe një marrëveshje e pazakontë ndërmjet dy mësimdhënësve.
Mësimdhënësit Xhevahire Hajda dhe Refki Kryeziu, kanë nënshkruar një dokument, sipas së cilit, nga data 01. 03. 2021 – deri në datën 15.06. 2021, orët mësimore të Kryeziut, do t’i zhvillojë zonja Hajda.
“Orët e profesorit Refki Kryeziu në këtë periudhë do t’i mbaj me përkushtim unë Xhevahire Hajda, për shkak të gjendjes së jo të mirë shëndetësore të kolegut tim” – thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Po ashtu në të specifikohet se ai është nënshkruar në prezencë të drejtorit të DKA-së dhe mbanë edhe vulën e institucionit.
Kosova Post ka bërë përpjekje që ta kontaktojë drejtorin Morina, por ai nuk i është përgjigjur telefonatës.
Në anën tjetër mësi Xhevahire Hajda ka thënë se ajo është punësuar në fazën kur Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit ka rekrutuar mësimdhënës në periudhën e pandemisë, të cilët i ka paguar nga 250 euro – për 4 muaj.
“Mirëpo, pasi ka përfunduar ajo periudhë, dy muaj kemi punuar pa pagesë” duke theksuar se kontrata e saj ka skaduar në dhjetor. Ajo ka shtuar se parregullsia e marrëveshjes qëndron te fakti se, ata janë marrë vesh që ajo të paguhet me para në dorë dhe jo nëpërmjet bankës.
“Profesorit të cilit unë ia kam mbajt orët, asnjëherë nuk i është shkëputur kontrata dhe rroga e tij i ka dalë nëpërmjet bankës”. Ajo është shqetësuar meqë, kjo pjesa e punës, ku është paguar me para kesh, nuk po i figuron askund.
Për më keq, ajo është zëvendësuar nga një mësimdhënëse tjetër, ndërsa drejtori i DKA-së, sipas saj, i është përgjigjur duke i thënë:
“Më vjen keq, nuk ke qenë në listën e pritjes, është pranuar dikush tjetër.” Gjithnjë sipas mësimdhënëses Hajda, ajo është zëvendësuar padrejtësisht nga një tjetër, i cili nuk e ka kualifikimin që ajo e ka. Z. Xhevahire Hajda është e pajisur me diplomë të masterit në fushën e edukatës fizike.
Përndryshe, deklaratat e saj i ka mbështetur edhe inspektori i arsimit Gjergj Gojani, i cili tha se për këto shkelje, bashkë me shumë të tjera, ka kërkuar të shkarkohet drejtori i DKA-së, vendim të cilin ka refuzuar ta jetësoj Kryetari Smajl Latifi. I.T/KosovaPost/