Mbrëmë në skenën e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj” u shfaq drama “Jetë në udhëkryq”, me regjisorin nga Tirana Gjergj Mena, ku interpretuan të rinjtë e Qendrës Rinore në Rahovec.
Adhuruesit e shumtë të artit skenik patën mundësinë që të përjetojnë emocione të forta, si me lojën e aktorëve të rinj, ashtu edhe me dirthërimat që dhuroi fjala e gjallë në skenë.
Regjisori Gjergj Mena, që merret me përgatitjen e të rinjve për botën e artit dramatik në Tiranë, tha se ndjehet i lumtur që shfaqja u pëlqye shumë nga publiku, sepse duartrokitjet e gjata janë mirënjohja më e madhe për punën e aktorëve.
“Jam i nderuar që më është dhënë mundësia që punoj me këta të rinj entuziastë, tha ndër të tjera regjisori Mena, por kërkoj nga autoritetet komunale dhe të gjithë dashamirësit e artit skenik, që të bëjnë çdo gjë që është e mundur për mbajtjen gjallë të kësaj fryme.
Këtu në Rahovec gjeta mbështetje të madhe, gjë që më ndihmoi në realizimin e dramës dhe shpresoj që ky nuk do të jetë projekti jonë i fundit i përbashkët. Gjithashtu më duhet të falënderoj Qendrën Rinore dhe Drejtorinë për Kulturë, që më ofruan mundësinë, duke më vënë në dispozicion gjithçka që kishin.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi ne realizuam këtë dramë, duke besuar se kjo do të shërbejë frymëzim për të vazhduar edhe me projekte të tjera artistike, ngase shoqërisë tonë, krahas nevojave të tjera jetësore jetike, i duhet edhe kultura, tha ndër të tjera regjisori Mena.
Loja e aktorëve të rinj magjepsi numrin e madh të të pranishmëve, gjë që u shpërblye edhe me duartrokitje të gjata dhe përshëndetje frenetike.
Drama “Jetë në udhëkryq” gërsheton fate njerëzish dhe situata komplekse në një mjedis aspak miqësor dhe me sfida të rënda jetësore. Ishte gërshetim i një mori situatash indviduale e kolektive që e karakterizojnë një shoqëri në tranzicion. Mirëpo, dramatikën këtyre sifdave ia shtuan aktorët e rinj, të cilët me pasion të vërtetë artistik arritën të transmetojnë mesazhe dashurie të njeriut për njeriun. Rolet u interpretuan nga nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të komunës së Rahovecit; Elona Morina, Rinor Kastrati, Festina Bajraktari, Taulant Isma, Edonita Hamza, Saimir Krasniqi dhe Meriton Sokoli.
Pritet që ky grup të rinjsh të marrë pjesë në festivalin e teatrove rinore në Tiranë që do të mbahet në muajin maj.