Basketbollisti i KB Rahovecit, Artin Gashi, thotë se ekipi nuk po shkon për turizëm në kryeqytet dhe se ata do të synojnë fitoren në takimin ndaj kampionit Sigal Prishtina.
Gashi ishte prej më të mirëve në disfatën në vazhdime të KB Rahovecit ndaj KB Bashkimit duke realizuar plot 17 pikë dhe duke qenë monumental në mbrojtje.
Ai citon rikthimin e Altin Morinës, shokut të tij të ngushtë, si shumë pozitiv për klubin, dhe thotë se me përkrahjen e studentëve të cilët i fton në numër të madh të jenë prezent në palestër, mund të arrihet një fitore ndaj Sigal Prishtinës.
“Jam shumë i lumtur me rikthimin e shokut tim, Altinit. Lëndimi i tij në çerekun e dytë ndaj Yllit na penalizoi dhe po të ishte ai në lojë, atë takim do ta kishim fituar sigurt”.
“Ishim afër fitores me Bashkimin. Performanca ime individuale nuk më intereson, më interesojnë fitoret për ekipin dhe ishim shumë afër ndaj Bashkimit. Kemi kapacitet të mposhtim secilin ekip në Kosovë, përfshirë edhe kampionin Sigal Prishtina, ekip për të cilin ne kemi respekt shumë të madh, por nuk ndihemi aspak inferior e sigurisht se do të bëjmë maksimumin për t’u sjellë tifozëve një fitore. Ata e meritojnë më së shumti, sepse ashtu siç ka thënë trajneri, ata janë më të mirët në Kosovë”.
“Në Rahovec ndihem shumë mirë. E ndjej dashurinë e njerëzve. Këtu njerëzit të motivojnë, sepse asnjëherë nuk të lënë në lloq, pa marrë parasysh rezultatet, pa marrë parasysh gjendjen, gjithmonë mund të gjesh përkrahje dhe për mua kjo është shumë me rëndësi”.
“Ne shpresojmë të sjellim edhe disa fitore për qytetin, dhe besoj se me punë kjo do të arrihet. Jemi të përkushtuar në këtë drejtim”, u shpreh Gashi për Rahoveci24.