Arsimtari rrah nxënësin në shkollën “12 Maji” në Ratkoc (Video)

Kanë kaluar katër ditë, dhe ende shenjat e të rrahurave nuk i janë larguar nga trupi.

Fitim Kastrati, 17-vjeçar, thotë se këto plagë i ka marrë pas dhunës fizike që ndaj tij e ka ushtruar, mësimdhënësi i shkollës “12 Maji”, Zenun Gashi, raporton KTV.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në korridorin e shkollës, ku mësimdhënësi Gashi ka pretenduar se Fitim Kastrati e ka penguar gjatë orës mësimore dhe e ka ndjekur deri në tualet, ku siç thotë, e ka rrahur brutalisht.

Ai thotë se edhe gishtin ia ka lënduar mësimdhënësi dhe se i është dashur të marrë ndihmën mjekësore.

Kastrati nuk ka vijuar më mësimin, pasi thotë se nuk ka vullnet për ta bërë këtë.

E orët mësimore nuk po i mban as mësimdhënësi Zenun Gashi.

Drejtori i shkollës “12 Maji”, Hasan Krasniqi, thotë se mësimdhënësi ka dhënë një version tjetër për këtë rast.

Edhe drejtoria e Arsimit e komunës së Rahovecit thotë se ka marrë masa ndaj mësimdhënësit në fjalë.

Ndërsa Policia e Kosovës në Rahovec thotë se rasti është në procedurë të rregullt.

Nxënësi, Fitim Kastrati, thotë se mësimdhënësi ka tentuar me çdo kusht ta bindë atë që ta tërheqë deklaratën kundër tij, madje edhe duke e kërcënuar. Pavarësisht të gjithave, ky nxënës ka vendosur që me këtë rast të merren organet e drejtësisë.

Klikoni këtu për t’a shikuar videon

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.