Arkitekti dhe eksperti i urbanistikës, Qëndrim Gashi, ka komentuar deklaratën e Burim Krasniqit dhe zotimin e tij se do të lejojë ndërtimet mbi 10 kate në Rahovec, duke thënë se gjithçka është e mundur.
Ai përpos që komentoi këtë fakt se është e mundur të bëhet një etazhitet i tillë, Gashi shtoi se atij i vjen mirë që Krasniqi kësaj radhe po konsultohet me ekspertë e jo si pushteti aktual vetëm me njerëzit më të afërt.
Më poshtë pyetjet dhe përgjigjet:
Rahoveci24: A mund të bëhen ndërtime me etazhitet P+10 apo mbi 10 kate siç ka premtuar Burim Krasniqi?
Qendrim Gashi: Ndërtime me etazhitet P+10 ose më shumë: Gjithçka është e mundur, dhe nëse vetë Komuna e Rahovecit vlerëson se qyteti ka nevojë për një etazhitet të tillë, kjo mund të realizohet. Nuk ka nevojë të përmenden procedurat ligjore, sepse është e njohur që ato ekzistojnë, por ajo që ka rëndësi është e drejta legjitime e komunës që, bashkë me qytetarët, të vendosë për të mirën e vendit ku jetojnë. Më gëzon fakti që këtë herë do të konsultohet me profesionistë, ndryshe nga pushteti aktual që shpesh merret vetëm me njerëzit e afërt dhe nuk i merr seriozisht konsultat e qytetarëve.
Rahoveci24: Çfarë mendon për planin Rahoveci i ri, ngjason me foton e publikuar RahoTesa kohë më parë prej teje, një vizion që e ke ndarë me qytetarët!?
Qendrim Gashi: Rreth planit “Rahoveci i Ri” dhe projekti Rahotesa: Është e vërtetë që plani urbanistik i ri ngjason me projektin tim Rahotesa, dhe më vjen mirë që ky propozim i vitit 2023 është marrë seriozisht. Rahoveci nuk ka zgjidhje tjetër veçse të zgjerohet në këtë drejtim; çdo alternativë tjetër do të ishte në dëm të qytetit dhe të tokave punuese aty. Si do ta zhvillojmë projektin, do të vendoset në të ardhmen, por mendoj që është një propozim i duhur dhe i domosdoshëm për zhvillimin e qytetit.


