Anulohet Rahoveci, Kosova zhvillon ndeshjet në Mitrovicë

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) kanë anuluar vendimin që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshjet në Rahovec, duke vendosur që Kosova sfidat me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe t’i zhvillojë në Mitrovicë.

Nuk dihet ende çka ka ndikuar në këtë vendim, a kanë qenë ngjarjet e pahijshme të ndeshjes finale apo tërheqja e klubit nga organizimi pas vendosjes së rregullores për përqindjet nga reklamat dhe biletat.

Më poshtë komunikata e plotë:

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 30 Maj 2019 në Prishtinë ka marr vendim që Përfaqësuesja A e Kosovës ndeshjet e fazës së tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 ti zhvillojë në Mitrovicë.

Bordi i FBK-së e ka anuluar vendimin e datës 25 Prill 2019 që ndeshjet të luhen në Rahovec dhe kështu ka vendosur që më 7 dhe 14 Gusht Kosova ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut të luaj në “Minatori”.

Raundi i tretë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht.

Fituesi i grupit do ta siguroj një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Në ditët në vazhdim Federata e Basketbollit të Kosovës, KB Trepça dhe Komuna e Mitrovicës do ti diskutojnë të gjitha detajet e organizimit të ndeshjeve me kriter të FIBA-s, të cilat kërkojnë punë dhe angazhim të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.

KB Trepça dhe Komuna e Mitrovicës tashmë janë dëshmuar si nikoqir dhe organizator të shkëlqyeshëm, pasi që fazën kualifikuese për Eurobasket 2017, Përfaqësuesja e Kosovës e pati zhvilluar pikërisht në palestrën “Minatori” kundër Sllovenisë, Ukrainës dhe Bullgarisë.

Orarin e Përfaqësueses së Kosovës mund ta gjeni më poshtë:

Grupi G:

3 Gusht 2019 Luksemburgu – Kosova

7 Gusht 2019 Kosova – Britania e Madhe

14 Gusht 2019 Kosova – Luksemburgu

17 Gusht 2019 Britania e Madhe – Kosova

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.