Superylli i KB Rahovecit, Alban Veseli, i ka bërë thirrje gjithë Rahovecit që të dalë në palestër të martën për të përcjellë superduelin ndaj Sigal Prishtinës që do të jetë përcaktues për trofeun e Superkupës.
Veseli, i cili konsiderohet një prej lojtarëve më të mirë në vend e rajon, do të luajë në finale historike për herë të parë që nga koha kur ishte te KB Peja.
Si njeri me shumë finale prapa tij dhe si kampion i dëshmuar, Veseli beson se kur qyteti bëhet bashkë, nuk ka fuqi që mund të duket e pamposhtur.
“Kualitetet e Prishtinës dihen. Është klubi më i fuqishëm në Kosovë, ata janë favoritët për këtë finale të Superkupës”.
“Por, ne nuk kemi çka të humbim dhe për neve kjo është mundësi historike për të bërë Rahovecin me trofe për herë të parë në histori. Jemi të vetdishëm se mund të hymë në histori. Dhe Rahoveci e meriton këtë, njerëzit e Rahovecit kanë punuar shumë për këtë ditë dhe ne duam t’i nderojmë ata, duam ta gëzojmë qytetin që po jeton për këtë klub”, u shpreh Alban Veseli.
Rahoveci luan ndaj Sigal Prishtinës me fillim nga ora 20:00 të martën. /Rahoveci24/