Braktisja e fshatit të Rahovecit, shkolla ka vetëm 5 nxënës

Shkolla fillore “Mustafë Ibishi” e fshatit Mrasor të Komunës së Rahovecit ka vetëm 5 nxënës.

Arsyeja e kësaj është shpërngulja e banorëve të këtij fshati. Kjo është paralele e ndarë e shkollës me të njëjtin emër, e cila gjendet në fshatin Kramovik të kësaj komune. Me gjithë vështirësitë që ka, mësuesja e këtyre nxënësve, Olimbi Mrasori, ka thënë për Gazetën Express se mundohet që të japë maksimumin e saj për të mësuar dhe edukuar këta nxënës.

Në një klasë, mbanë mësimin e kombinuar me 5 nxënësit e saj. Për tri gjeneratat që i mëson, ajo ka tre ditar të cilët duhet t’i plotësojë çdo ditë, njëjtë si çdo mësimdhënës. Mësuesja Olimbi tregon se këta janë edhe nxënësit e vetëm që ka kjo shkollë.

Ajo ka thënë për Gazetën Express se është e vështirë të punohet në një klasë të kombinuar, me tri gjenerata të ndryshme, mirëpo kjo është zgjidhja e vetme që mund të bëhet.

“Punoj në klasë të kombinuar. Është pak e vështirë, por nuk mund të bëhet ndryshe sepse i kemi vetëm 5 nxënës. Një nxënëse në klasë të dytë, tre nxënës në klasën e tretë, si dhe një nxënëse në klasën e katërt. Duke e pasur parasysh këtë, nuk mund t’i ndajmë nxënësit secilin në një klasë”, ka thënë Mrasori.

Ajo ka theksuar se ndonjëherë nxënësit mund të dekoncentrohen, apo të interesohen për mësimet e gjeneratës tjetër, mirëpo thotë se angazhohet shumë për t’i mësuar secilit nxënës njësinë përkatëse mësimore.

Mësuesja Olimbi ka thënë po ashtu se nxënësit janë shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin, pasi shpesh herë nxënëset e klasës së katërt e ndihmojnë nxënësin e klasës së dytë kur ka paqartësi në ndonjë mësim, apo edhe në aktivitete tjera të cilat i mbajnë.

Në këtë shkollë, një herë në javë mbahet edhe ora e gjuhës angleze, të cilën e mbanë një mësues i cili punonb në shkollën e fshatit Kramovik.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, ka thënë për Express se kjo shkollë është paralele e ndarë e shkollës së fshatit Kramovik, e cila po ashtu ka pak nxënës.

“Shkolla “Mustafë Ibishi” është paralele e ndarë e fshatit Kramovik. Kjo shkollë ka vetëm 2 dhoma mësimi. Nxënësit tjerë vijojnë mësimin në Kramovik. Ky është fshat i vogël, por edhe shumë banorë janë shpërngulur. Ky fshat është 9 km larg nga shkolla amë në Kramovik, dhe më mirë është t’u ofrojmë mësueset tek fëmijët e vegjël sesa t’i bartim ata 9 km larg”, ka thënë Morina.

Ai po ashtu ka theksuar se nuk do ta mbyllin këtë shkollë, pasi kjo do të ndikonte në shpërnguljen e banorëve të fshatit Mrasor./GazetaExpress

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.