Sot shënohet 10-vjetori i vrasjes misterioze që ka tronditur Rahovecin, vrasjes së ish-kandidatit për deputet nga PDK, Elvis Pista.
Teksa po shënohet 10 vjetori, ende nuk dihen autorët e vrasjes, një vrasje tejet misterioze që drejtësia dhe institucionet e Kosovës kanë dështuar që ta zbardhin.
Rahoveci një qytet i qetë por me një peng e pikëpyetje të madhe që do ta shoqërojë këtë qytet për shumë kohë – kush dhe pse e vrau Elvis Pistën më 15 Qershor të vitit 2014, një javë pas përfundimit të zgjedhjeve?
Teksa pikëpyetjet vazhdojnë, nga skena politika e ka kujtuar Idriz Vehapi, i cili ishte bashkëudhëtari politik i Pistës.
Ndërkaq atë e kanë kujtuar edhe miq e familjarë, teksa dhëndri i familjes, Hektor Demiri, me anë të një postimi në Facebook kërkoi nga institucionet që të angazhohen në zbardhjen e kryersve dhe motiveve të ngjarjes.
Elvis Pista u vra mëngjesin e 15 Qershorit në dalje të një restoranti në Rahovec, teksa po festonte ditëlindjen e bashkëshortes. Ai la pas një vajzë.
/Rahoveci24/


